SHBA shqyrton mundësinë t’u kërkojë udhëtarëve nga Britania të bëjnë testin për COVID-19

Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë mundësinë e nxjerrjes së një urdhri që do të lejonte hyrjen në SHBA vetëm të atyre udhëtarëve që vijnë nga Britania të cilët janë testuar negativisht për COVID-19-n brenda 48 apo 72 orëve të fundit.

Sipas shtypit amerikan mbi këtë çështje është diskutuar të hënën gjatë mbledhjes së grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë mbi koronavirusin.

Ky zhvillim vjen ndërsa më shumë se 40 vende kanë pezulluar udhëtimet me Britaninë si përgjigje ndaj një rritje dramatike të numrit të infeksioneve për shkak të një varianti të ri të COVID-19-s që është përhapur gjerësisht në pjesën jugore të Mbretërisë së Bashkuar.

Shtetet e Bashkuara nuk i kanë kufizuar fluturimet me Britaninë. Por Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo njoftoi se u ka kërkuar linjave ajrore që vijnë në këtë shtet nga Britania, t’u kërkojnë pasagjerëve të bëjnë testin për COVID-19 përpara udhëtimit. Tre linja ajrore, Virgin Atlantic, British Airways dhe Delta Airlines, kanë rënë dakord me kërkesën e zotit Cuomo.

Në pjesën perëndimore të SHBA-së, Guvernatori i shtetit të Uashingtonit, Jay Inslee, ka urdhëruar futjen në karantinë për 14 ditë të të gjithë atyre që vijnë në këtë shtet nga Britania dhe Afrika e Jugut, ku gjithashtu është identifikuar një mutacion i ngjashëm i COVID-19-s.

Të hënën kreu i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, Doktor Anthony Fauci, tha se ekzistojnë mundësitë që varianti i ri COVID-19-s është përhapur edhe në Shtetet e Bashkuara.

Kreu i kompanisë farmaceutike me bazë në Gjermani BioNTech, Ugur Sahin, tha se vaksina e prodhuar në bashkëpunim me kompaninë amerikane Pfizer ka “shumë të ngjarë” të jetë efektive ndaj llojit të ri të COVID-19-s. Por ai u tha gazetarëve në Berlin se nëse do të ishte e nevojshme, vaksina mund të modifikohej e shpërndahej brenda gjashtë javësh. Ndërkaq të hënën Bashkimi Evropian dha autorizimin për përdorimin e vaksinës së Pfizer-BioNTech-ut brenda vendeve të bllokut. Vaksinimet fillojnë më 27 dhjetor.

Shefi Evropian i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge, tha se agjencia do të thërrasë një takim të vendeve anëtarë për të diskutuar rreth strategjive për t’u përballur me variantin e ri COVID-19-s, por pa dhënë detaje se kur. OBSH-ja ka ngritur shqetësimin rreth variantit të ri të COVID-19-s, por duke shtuar se nuk ka prova se ai është më vdekjeprurës se çdo lloj ekzistues i koronavirusit dhe se mutacione të tilla janë pjesë normale e evolucionit të një pandemie./VoA/

Leave a Reply