Shpëtim Morina: Kosova 10 vjet shtet – Ёndërra e cila u bë realitet

Kosova është një vend i cili gjendet në Evropën Juglindore. Kosova si shtet kufizohet me Shqipërinë në jugperëndim, me Maqedoninë në juglindje, me Serbinë në veri dhe në lindje, dhe me Malin e Zi në perëndim. Ka një sipërfaqe prej 10.908 km² me një popullsi prej 1.8 milion banorësh. Kosova ka kryeqytet Prishtinën, si qyteti me i banuar në vend. Si vend ballkanik u përball me një histori të rëndë dhe të dhimbshme. Rrugëtimin e vështirë për një vend të pavarur dhe sovran, Kosova e kishte filluar qysh herët në vitin 1968. Duke vazhduar me protestat e studentëve në vitin 1981 ku shpërtheu flakadani i parë i pakënaqësisë së qytetarëve nga regjimi i kaluar. Vitet 1990-1999 ishin vitet më të vështira për popullin tonë. Kjo kohë shënoj ndërrimin e kahjes se historisë së Kosovës.

Duke pasur në konsideratë luftën e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës në njërën anë dhe lëvizjen paqësore të presidentit historik dhe emblematik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova i cili e bëri të njohur problemin e vendit të tij në të gjitha zyret diplomatike të vendosjes duke kërkuar ndihmën e shteteve më të fuqishme të botës, u arrit liria, e në vitin 2008 pavarësia e vendit e cila ishte edhe ëndërr e presidentit Rugova. Kosova nga 2008 filloj një fazë të re të ndërtimit të saj. Pakoja e presidentit Ahtisari ishte një udhërrëfyes i gjerë për shtetndërtimin e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Kjo pako konsistonte se opsioni i vetëm i mundshëm ishte pavarësia e Kosovës që për një periudhë fillestare do të mbikëqyrej nga bashkësia ndërkombëtare (pa e theksuar kohëzgjatjen e kësaj periudhe). Konsolidimi i institucioneve qendrore ishte prioritet parësor i partnerëve ndërkombëtar. Nën mbikëqyrjen e këtyre partnerëve këto institucione janë konsiliduar dhe po funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime.

Kosova shtet i pavarur sovran tani në 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë ka një mori arritjesh në të gjitha sferat e jetës. Mirëpo përveç këtyre arritjesh po ballafaqohet edhe me sfida të ndryshme. Nëse marrim parasysh që si shtet kemi një përvojë mjaftë të mangët në shumë fusha e sidomos në fushën e sundimit të ligjit, këtu kemi sfidën më të madhe. Brishtësia e institucioneve qendrore gjithashtu paraqet sfidë për shtetin e ri. Shkalla e lartë e korrupsionit duke u bazuar në raportet e organizatave ndërkombëtare siç është Transparency international paraqet një sfidë tjetër që është ballafaquar shteti ynë. Një problem tjetër që ballafaqohet shteti ynë është edhe papunësia e madhe sidomos e rinisë sonë e cila është e shkolluar pra ka një profesion dhe që nuk i është dhënë hapësira dhe në këtë mënyrë perspektivën e tyre e kanë parë jashtë Kosovës.

Përfundimisht 10 vjetori Kosovën po e gjen si një vend me synime të qarta për të ardhmen. Si vend ka shënuar progres në shumë fusha dhe në fusha të tjera duhet të bëhet më shumë ku ka ngecje. Duke pasur parasysh që Kosova si vend doli nga lufta me afër 12000 viktima nga lufta, dëme të mëdha materiale pra një vend i shkatërruar. Periudha prej 10 vjetësh ka shënuar një ndryshim të madh në gjendjen e përgjithshme në vend. Pavarësia e Kosovës solli një ndryshim rrënjësor në stabilitetin

 

e vendit dhe të rajonit. Tashmë vendi ynë ka trasuar rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, ku me ndihmën e partnerëve janë bërë hapa të mëdhenjë. Mirëpo vendi ynë po përballet edhe me sfida që janë jetike për popullin e saj ku mirëqenia e qytetarëve të vendit tonë me theks të veçantë rinisë sonë është jetike. Vendi ynë ka fatin e madh që ka një rini të tillë të edukuar dhe të arsimuar që kërkojnë hapësirën e duhur që të japin kontributin e tyre në bazë të aftësive të tyre. Duke punuar së bashku, Kosova pritet që në të ardhmen të jetë një vend shumë atraktiv duke marrë parasysh edhe pozitën e saj gjeografike pastaj fuqinë punëtore dhe një vullnet që të ndryshohet ky vend në kontekstin pozitiv.

 

Republika e Kosovës si shtet me një jetëgjatësi prej 10 vjetësh tashmë ka hyrë fuqishëm në agjendat e BE-së dhe të NATO-s, ku pritshmëritë e popullit të saj janë të mëdha që për një të ardhme të afërt të jemi një shtet stabil që të jetë produktiv besimi i madh që i është dhënë vendi tonë. Partneriteti me vendet e fuqishme duhet të kultivohet gjithmonë dhe në vendime të mëdha ata duhet të jenë këshilluesit më të mëdhenjë të vendit tonë. Pra në vitet e ardhshme vendi ynë duhet që të stabilizojë gjendjen ekonomike dhe që sidomos sektorët jetik siç janë: arsimi, shëndetësia, policia, të ketë përkrahjen maksimale nga qeveria e vendit që ardhmëria jonë të jetë në duar të sigurta. Përfundimisht Kosova ka një të ardhme premtuese për rininë ku tashmë shtigjet janë të hapura pasi që Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe me drejta të barabarta me të gjithë qytetarët e shteteve tjera.

Leave a Reply