Shteti nuk mbahet me politikat e “fëmijës së llastuar”

Suspendimi i demokracisë nuk mund të bëhet sepse, Ali Ahmeti na paska premtuar diçka të pabëshme dhe, hajde burra, të merremi vesh se, më iku fytyra! Ndryshe, nëse nuk merremi vesh, kjo nuk do të jetë në interes të shtetit. Çka është interes i shtetit në rastin konkret?

Shkruan: Zahir Beqiri-Çaushi

Në takimin e fundit në mes të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev dhe, liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, ky i dyti do të deklarojë: “Unë mendoj se sa jemi afër, aq jemi edhe larg, por gjithmon palët duhet të kenë parasysh interesat madhore të shtetit”!
Ali Ahmeti është i njohur si person që gjithmonë ka parapëlqyer që t’i japë peshë dhe rëndësi vetëvetes, sepse, në këtë formë, bëhesh më “misterioz”, më lehtë i fsheh gjurmët e krimit, të dështimit, të katandisjes, qoftë personale qoftë kombëtare!
Nisur nga kjo, Ali Ahmeti mendon se, BDI-ja është interes shtetëror apo kombëtar! Ali Ahmeti mendon se ai dhe partia e tij janë jashtëzakonisht të rëndësishëm sa, pa këta dy “subjekte” nuk ka shtet!
Pa dyshim që, një bindje e tillë e Ali Ahmetit më tepër gjason në një kërcënim e në një shantazh se sa në një çështje të vërtetë dhe të pashmangshme.
Nuk e ka te interesi shtetëror sa e ka te turpërimi personal! Ai doli me një ide të parealizueshme për momentin, madje mbase as në këtë shekull: duke e gënjyer elektoratin e vet ai u zotua se këtë herë do ta kemi kryeministrin shqiptar për të cilin do të vendosë BDI-ja! Hall e pati të gjejë modalitetin se si ta shpëtojë partinë e tij nga shndërrimi në gërmadhë politike. Nesër-pasnesër, kur do t’i ketë punët edhe më katastrofë, ai do të dalë me idenë e bashkimit kombëtar, “sapo të fitojë zgjedhjet BDI-ja”!
Suspendimi i demokracisë nuk mund të bëhet se paska premtuar diçka të pabëshme Ali Ahmeti dhe, hajde burra, të merremi vesh se më iku fytyra! Ndryshe, nëse nuk merremi vesh, kjo nuk do të jetë në interes të shtetit. Çka është interes i shtetit në rastin konokret? Imponimi i kryeministrit shqiptar nga një subjekt pa të cilin në mënyrë shumë të lirshme mund të formohet qeveria prej partisë fituese, është papjekuri politike, është një manipulim populist, për të mos thënë skenar rus për destabilizim etnik të një shteti anëtare e NATO-s! Në krejt botën demokratike ky është parim: fituesi i zgjedhjeve, qoftë edhe me vetëm një votë, merr të drejtën për të formuar shumicën parlamentare dhe për të nominuar kandidatin për kryeministër që vjen nga radhët e partisë fituese. Në rastë kur nuk arrihet shumicë, ose shkohet në qeveri teknike ose në zgjedhje të reja!
Ali Ahmeti, me një strategji të përkryer të vjedhjeve të votave, me blerje të votave, me shantazhe e me kërcënime, me premtime boshe e me gënjeshtra, t’i fitojë zgjedhjet dhe, në këtë mënyrë të këmbëngulënë kandidatin e vet për kryeministër?!
Po sikur “t’i fiken llampat” Zoran Zaevit dhe t’i ndërpresë bisedmiet me Ali Ahmetin, prej të cilit nuk varet në formim të shumicës dhe, në këtë rast, mos të bëhet kryministri nga radhët e shqiptarëve, BDI të ngelë në opozitë, tërë kjo nuk do të jetënë interes i shtetit, ë? Sepse, mund ta “tundë” sërish shtetin me ndonjë luftë të imagjunueshme nga Ali Ahmeti? Nuk është në interes të shtetit sepse mund të vihet në pikëpyetje ekzistenca e shtetit, a?
Shteti i Maqedonisë së Veriut nuk është më as në duart e Ali Ahmetit, as në duart e Zoran Zaevit, as të Mickovskit apo të Zijadin Selës. Fati i këtij shteti më nuk varet as nga Marrëveshja e Ohrit, as nga ajo e Prespës, as nga ajo me Bullgarinë, sepse ky shtet tashmë është anëtare e NATO-s. Ky fakt tregon se Ali Ahmeti është shumë i vogël që të interesohet për fatin e shtetit, ai mund të interesohet vetëm për çështjet dhe problemet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe, hiç më shumë!
Nuk është mirë që të manipulohet me këto “Marrëveshje” të personalizohen dhe të shiten si “subjekte” apo “organizata” të cilat garantojnë stabilitet dhe siguri të shtëtit të Maqedonisë së Veriut, ato mund të interpretohen vetëm si faza përfundimtare të ngjarjeve historike të cilat, aktualisht, nuk kanë kurrfarë peshe as gjeostrategjike dhe as gjeopolitike! Janë dhe do të ngelin si “relikte” historike.
Për shqiptarët sot e përjetë do të ketë vlerë, peshë, rëndësi domethënie jetike vetëm dokumenti i Lidhjes së Prizrenit. Nënvlerësimi i kësaj ngjarje duke i dhënë peshë Marrëbeshjes së Ohrit – kjo është tradhëti kombëtare! Nëse BDI mendon se Marrëveshja e Ohrit apo marrëveshjet e tjera politike qenkan të arritura dhe suksese të BDI-së, këtë, Ali Ahmeti, përfundimisht e bën sa për t’i fshehur dështimet, aferat korruptive e kriminale, veprimet antikombëtare të kësaj partie deri më sot, sa për t’i dhënë vetes peshën e interesit madhor shtetëror. BDI është vetëm një parti pa program e platformë politiko-kombëtare të dëshmuar, ndaj si e tillë “parti grabitqare” që “fiton” nën statusin e “fëmijës së llastuar”, i cili, për të qenë gjithnjë në vëmendje të opinionit, nuk mban llogari se me sjellje të tilla “ia nxinë” fytyrën prindërve të nderuar!

Leave a Reply