Sistemi arsimor në BFI të RM-së vrastare e perspektivës së të rinjëve

Shkruan Mr. Eset Shaqiri /

Në Maqedoni shkollimi i mesëm është i detyrueshëm, ndërkohë që edhe kriteri i punësimit të të rinjëve tanë është ngritur në nivel të përgatitjeve akademike. Kush nuk ka të kryer fakultet ngelë kandidat potencial për rritjen e numrit të të papunëve.

Pra, Maqedonia është shndërruar në makineri të rritjes sasiore të potencialit punues. Po thuajse në çdo katund kemi themeluar nga një universitet shtetëror dhe vetëm nxjerrim kuadro, mjafton të kryhen pagesat dhe të mbushen arkat e këtyre vatrave arsimore pa kurrfarë kriteresh akademike. Në çdo vit shkollimin e mesëm e mbarojnë me dhjetra mijëra nxënës kurse fakultetet i mbarojnë me mijëra studentë. Në raport me numër banorësh jemi vendi me më shumë magjistra e doktora në rajon dhe më gjërë. A pyet kush për kualitetin e tyre? Cilat janë prurjet shkencore, rezultatet akademike dhe ngritja cilësore e sistemit arsimor nga tërë kjo armatë e doktorëve, magjistrave dhe studentëve të diplomuar?

Në vazhdën e këtij trendi vrastar të perspektivës së të rinjëve tanë janë edhe vatrat arsimore që funksionojnë në kuadër të BFI në RM.

Tash e sa kohë e dëgjojmë refrenin tashmë bajat “jepni kontributin e juaj për Medresenë Isa Beu”! Vetë unë jam kuadër i kësaj Medreseje. Pa dyshim, dikur kjo vatër arsimore ishte krenaria jonë kombëtare, ishte privilegj i pakontestueshëm që të jeshë nxënës i kësaj shkolle të mesme. Një staf mirë i kualifkuar, një vullnet i çeliktë për t’i shërbyer myslimanve dhe islamit, një përkushtim i pashoq për ta rritur kualitetin e jetës fetare në vend si dhe një disiplinë e rreptë gati ushtarake, të gjitha këto tipare e bënin Medresenë Isa Beu shkollë numër një në Maqedoni dhe në rajon. Çdo gjeneratë nxirrte më së paku nga nja 10 nxënës që do të ishin krenaria e kombit ton në të ardhshmen. Çka po ndodhë sot?

Sot Medresja Isa Beu është shndërruar në një vatër dëshpërimi! Ky konstatim del nga vetë nxënësit e kësaj Medreseje. Ata, që në vitin e parë nisin të shfaqin shenja pendese që janë futur në këtë shkollë të egër por që tashmë ju duhet shkollimi i mesëm sa për t’ju ikur dënimeve të parapara me ligj për shkollim të mesëm të obligueshëm. Për më tepër, këta të rinjë janë edhe viktimë e dëshirave  të atyre prindëve që nuk janë në gjendje që t’i dëgjojnë ankesat reale të fëmijëve të tyre që vijojnë mësimet ne “Isa Beu”! Asnjë prindëri nuk i besohet se Medreseja Isa Beu është klub i të punësuarve kryesisht nga një fshat, që është shndërruar në qendër punësimi të familjes e të krushqisë së të Parit e të marionetave të tij, asnjë nga prindërit nuk beson se në Medrese mund të merret viti edhe me para, prandaj, jo të radha janë rastet kur hetohet fëmija që ka para dhe që e mbajnë nën frerë me qëllim që t’ia zhvasin paratë.

Deri më sot kanë mbaruar Medresenë mbi 2600 medresantë! Është thënur se Medreseja Isa Beu është vatër arsimore që përgatit kuadro për nevojat fetare të myslimanëve të Maqedonisë? Po sa prej këtyre 2600 medresantëve janë të angazhuar në administratë dhe në organet e BFI-së, madje edhe nëpër xhamitë anekënd vendit? Janë hapur edhe disa paralele të tjera nëpër qytete të ndryshme dhe kjo flet se nga çdo gjeneratë na dalin të paktën nga nja 200 nxënës nga kjo Medrese. Sa prej tyre angazhohen nëpër organet e BFI-së? Ndërkohë që nëpër këto organe kemi të angazhuar edhe pensionistë, nëpër xhami kontribuojnë pleq të shtyer në moshë e pensionistë! Për më keq, nëpër organet e BFI-së kemi edhe kuadër teologjik falco, me diploma të blera, me shkolla të mesme të vjedhura e të paguara, me diploma falco fakultetesh e pa kurrfarë përgatitjesh profesinale përkatëse. Kemi avokat jomysliman i cili mbi 50 mij euro të myslimanëve të BFI-së i ka futur në xhep bashkë me një kastë gjykatësish jomyslimanë që i tjerrin penjtë e lojërave të pandershme në BFI. Thënë shkurt, politikat aktuale të Rijasetit të BFI-së për sa i përket shkollimit të kuadrit të nevojshëm janë politika që prodhojmë vetëm sasi, moskualitet dhe mediokër, sepse kjo politikë mbushë xhepat e zhvatësve! Shkollimi edhe në BFI është bërë bisnes profitabil i një kaste me amëz të cektë karakteri!

Nuk është situatë më e mirë as me Fakultetin e Shkencave Islame! Çka thotë kurba e trendit zhvillimor të kësaj vatre arsimore? Ku ka arritur kjo kurbë, apo, cili është niveli që ka arritur trajektorja zhvëllimore në këtë Fakultet? Cilat janë ato suksese të prekshme? Vetëm përcjellja sasiore e studentëve që kanë ikur nga kjo vatër? Ku janë të sistemuar, apo sa prej tyre gjenden nëpër vendet meritore në BFI të RM-së. Me vetë faktin që punësimi i tyre nëpër organet e BFI-së është fare i papërfillshëm, kjo do të thotë se i papërfillshëm është edhe kualiteti i tyre që kanë dalur nga një staf i papërfillshëm arsimor, nga dy vatra fare të papërfillshme arsimore!

Cilat janë politikat arsimore të BFI-së! A do të vie ajo pikë që do t’i kënaqë të paktën për një dekadë kërkesat e myslimanëve të vendit dhe, nëse po, atëherë çka do të bëhet me këto vatra arsimore.  Edhe më tej do të prodhojnë kuadro, apo do të pushojnë së prodhuari?! Nëse mbushet kupa me kuadro, a do të thotë kjo se do të zbrazet kupa e financave të BFI-së, e cila tashmë është shndërruar në sinonim i keqpërdorimit të djersës së myslimanëve të vendit.

Në epokën e teknologjisë së lartë, në epokën e digjitalizimit të çdo pore të jetës, BFI-ja akoma angazhohet për metodoligjitë e vjetra të të jetuarit. Sepse, kjo i konvenon drejtuesve të organeve, mentaliteti i të cilëve nuk e kalon as pragun e “samaukëve”! Në atë nivel të tillët mund ta tregojnë veten si “tregim i suksesshëm”, jasht këtyre kornizave ata do të digjeshin e do të kutërbonin si plehërat e ndezura nga piromanët.

Pa asnjë dyshim, rrugdalja nga kjo situatë vrastare ku është katandisur BFI-ja e Sulejman Rexhepit, mund të gjendet vetëm në Platformën e Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFIM.

/Gazeta Lajm/

Leave a Reply