S’ka kohë “për kohë më të mira”

Shqiptarët duhet t’i japin fund mungesës së lumturisë, zhytjes në poshtërsi e intriga, heronjve të rremë, analfabetëve në politikë, të cilët na mjaftuan si shembull i së keqes. Duhet t’i kthehemi edhe realitetit tonë të brendshëm, nëse duhet edhe nga pika zero dhe të mbërrijmë te thelbi i çështjes sonë të mbetur pezull më shumë se një shekull. Ndryshe, do të mbetemi (të shpërndarë) vetëm si probleme të imta parciale të Ballkanit. Kurse problemet e imta zakonisht mbeten margjinave të problemeve të mëdha dhe me peshë. Dhe, në ato margjina bëhen të pandjeshme.

Shkruan: Shkëlzen HALIMI, Shkup

Për ta kuptuar më mirë realitetin e demokracisë në oborrin shqiptar do të duhet të kthehemi në orët e para të sistemit plural, ndonëse dy vite më parë (3 tetor, 1989) kishte rënë Muri i Berlinit. Atëbotë shqiptarët do të mendojnë se komunizmi si sistem kishte marrë fund. Megjithatë, edhe sistemi i ri, që në fakt për shqiptarët ishte me shumë të panjohura, kërkonte individë që do t’i çojnë proceset përpara, të cilat procese pritej të buronin nga vlerat e demokracisë, por edhe nga ringjallja e vetëdijes kombëtare, e cila gjatë epokës komuniste, në mënyrë konstante ishte mbajtur e ndrydhur. Por, ishte e qartë se mungonte përvoja në raport me demokracinë, përfshi edhe ringjalljen shpirtërore, sepse shqiptarët kishin nevojë për çlirim shpirtëror.

Megjithatë, përvojë me organizimin partiak kishin vetëm udhëheqësit komunistë, të cilët, duke nuhatur fundin, i kishin hedhur librezat e kuqe dhe, duke vërejtur se komunizmi ishte në grahmat e fundit, kishin pritur momentin e përshtatshëm për t’u shpërndarë nëpër partitë e reja që shënuan hapin e parë të sistemit plural. Pra, ndodhi konvertimi më bizar në jetën politike edhe të shqiptarëve, gjithandej ku ata jetonin.

Përmirësimi i gabimeve historike

Nga ana tjetër, ishte edhe një grupim tjetër, që kishte gjetur strehim në Perëndim, anëtarët e të cilit grupim e kishin pësuar rëndë nga sistemi komunist jugosllav dhe makineria e saj ndëshkuese, e njohur si UDB-a. Ideologjia e tyre nuk kishte asgjë të përbashkët me vlerat e demokracisë perëndimore, ndaj do ta kenë shumë vështirë të çlirohen nga ajo ideologji që ishte ngulitur thellë në vetëdijen e tyre, pra nga ideologjia marksiste-leniniste-enveriste.

Pikëpamjet e këtyre grupimeve (komuniste- marksiste-leniniste-enveriste) kishin domethënie të ndryshme, siç ishte e ndryshme edhe logjika e tyre për politikën dhe pushtetin. Megjithatë, më elastik u treguan ish komunistët, që brenda natës u transformuan në demokratë, kurse të tjerët do të vijnë më vonë.

Ndërkohë, shtegu iu hap edhe shumë anonimëve, të cilët, duke shfrytëzuar anarkinë e natyrshme për orët e para të tranzicionit, kuptuan se në politikën shqiptare nuk ka dyer të mbyllura. Me “muskujt e tyre”, të shtyrë nga shërbime sekrete dhe qarqe që politikën shqiptare e kishin futur në kontroll të plotë, ata, pra anonimët, bënë disa përpjekja të lehta dhe sakaq arritën të faktorizohen, ndonëse pa i plotësuar as kushtet elementare. Dhe, kur morën vulën e “politikanit”, ata shpejtuan që ta dëshmojnë edhe “inteligjencën” e tyre përmes vënies në kornizë të një diplome, që do të ishte e mjaftueshme për t’i lënë pa fjalë, sipas tyre, gojë-këqijtë. Ishte ky grupimi që sapo u rehatua në kolltuk, i harroi të gjitha idealet dhe sakrificat për një organizim të natyrshëm të shqiptarëve, me të gjitha atributet e qëndrueshme të një kombi.

Pavarësisht dallimeve të brendshme, një ishte e dukshme: potenca shpirtërore e shqiptarëve, në konstelacion të një filozofie të çoroditur, nuk jepte kurrfarë shprese se ka kurajë jo vetëm për ta thënë të vërtetën e argumentuar, por edhe për ta shikuar atë në sy. Çuditërisht, shqiptarët u vunë vullnetarisht në pozicionin e kërkuesit të asaj që ishte e drejtë e tyre e natyrshme. Arsyetimet se është mirë të zgjidhet një kohë e përshtatshme, që nuk do të shkaktojë kundër-reaksion të palës tjetër, u tregua kundër-produktive, mbase edhe djallëzore, të cilën strategji pala shqiptare asnjëherë nuk diti ta lexojë, ndonëse ishte e qartë se po përgatitej diçka e dhunshëm, diçka që do t’ua bënte me dije shqiptarëve se kush është pronar e kush qiraxhi.

Duhet theksuar se shqiptarët (jo vetëm në Maqedoni) politikës iu qasën pa pasur program e ide. Ndaj dhe nuk duhet të habitemi se pse ndër shqiptarët akoma ka kaq shumë divergjenca dhe profile të çuditshme politikanësh, që janë surrogat të konfuzionit të politikës shqiptare.

Konfuzioni në politikën shqiptare është përdorur në mënyrë të shkëlqyeshme nga ana e palës joshqiptare, e cila në çdo kohë ka ditur t’i plotësojë kërkesat e klaneve të përfaqësuesve shqiptarë si kompensim për lehtësimin e realizimeve të projekteve antishqiptare. Dhe, pikërisht kjo politikë e ngecjes shqiptare edhe një herë erdhi në shprehje dhe u dëshmua në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni, me ç’rast, në konstelacion të forcave politike, sërish mbeti me të vjetrën (nuk po i përmendim aspektet teknike që ia vazhduan jetën të vjetrës).

Shqiptarët në Maqedoni (më herët edhe në ish Republikën jugosllave) asnjëherë nuk e kanë ndjerë dashurinë e shtetit. Në fakt, ata, shpesh, dhunshëm u detyruan “ta duan” shtetin, i cili kurrë nuk u dha shenjë dashurie. Se kështu do të ndodhte, këtë dekada më parë e kishin ndjerë një grup i vizionarëve, të cilët e kishin kuptuar komplotin e bërë ndaj shqiptarëve, një pjesë të të cilëve i kishin lënë jashtë Shqipërisë natyrale, duke i ndarë më kufij të pakalueshëm, duke u shkaktuar shumë tragjedi dhe duke e copëtuar truallin shqiptar. Dhe, shqiptarët jashtë shtetit amë, akoma, edhe në shekullin 21, vazhdojnë të luftojnë për të drejtat elementare.

Po ç’mbeti nga ideali i atyre që luftuan dhe dhanë jetën për çështjen kombëtare, për bashkimin përfundimtar të trojeve shqiptare. Akoma shqiptarët janë i vetmi popull i ndarë me shumë kufij. Shqiptarët kanë një gjuhë, një alfabet, një kulturë, një histori, një flamur kombëtar, por janë të shpërndarë në shumë shtete.

Idetë e këtyre vizionarëve që vepruan në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri (kujtojmë Xhem Gostivarin, Sylë Hotlën e Azem Maranën në Maqedoni, Xhafer Devën, Rexhep Mitrovicën, Gjon Serreçin në Kosovë, Mid’hat Frashërin, Abaz Kupin e Muharrem Bajraktarin në Shqipëri, por edhe shumë e shumë të tjerë, deri te të fundit, Adem e Hamëz Jashari), në idealin e të cilëve ishte përmirësimi i gabimeve historike të fuqive të mëdha që u ishin bërë shqiptarëve, pavarësisht reperkusioneve drastike, akoma sot e kësaj dite janë aktuale. Ndaj dhe shtrohet pyetja e thjeshtë: a pati të drejtë kjo armatë e vizionarëve për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare një herë e përgjithmonë? Ndërkohë, zgjidhjet e ofruara që nuk ishin as gjysmake, na sollën këtu ku jemi sot: as në qiell, as në tokë…

Kosova dhe konfigurimi i Ballkanit

Kur protagonistët kryesorë të politikave shqiptare të zhvishen nga interesat personale, grupore, nga interesat e politikave antishqiptare dhe kur në plan të parë ta nxjerrin interesin kombëtar, atëherë nuk do të ketë fuqi që do të mund t’i pengojë për ta realizuar amanetin e atyre që ndër shekuj e dekada u flijuan për idenë sublime, bashkimin e shqiptarëve nën ombrellën e atdheut të vetëm, Shqipërisë natyrale.

Çështja e Ballkanit, përkatësisht konfigurimi i saj, akoma nuk ka marrë fund, ndërkaq çelësi dhe dryni i gjithë kësaj mbetet Kosova, e cila edhe përkundër çlirimit nga shtypja serbe dhe pavarësisë së saj, vazhdon të mbetet dhe të trajtohet si një çështje pa epilogun përfundimtar. Disa shtete evropiane akoma kanë rezerva ndaj njohjes së Kosovës, duke e trajtuar atë si pjesë të Serbisë. Dhe, kur bëhet fjalë për raportin Kosovë – Serbi që sërish është intensifikuar në agjendat euro-amerikane, duhet bërë të qartë se shqiptarët nuk e kapërcyen realitetin (e kaluar) historik dhe asnjë vijë të kuqe, por thjeshtë ecën me shekuj e dekada nëpër këtë realitet të zymtë për të arritur në realitetin e sotëm, që aspak nuk ndryshon nga ai realitet qindravjeçar, i cila i është lënë historisë. Duhet të vetëdijesohemi dhe ta kuptojmë se padrejtësitë historike do të duhet t’i përmirësojmë vetë, përmes qasjes me një gjuhë të faktorit shqiptar në Ballkan ndaj të gjitha problemeve, natyrisht duke e argumentuar këtë me fakte të qëndrueshme para miqve tanë ndërkombëtar.

Diplomacia shqiptare duhet të jetë më këmbëngulëse dhe, përfundimisht, shqiptarët duhet ta shmangin kosmopolitizmin dhe dashurinë e pakontrolluar ndaj vlerave internacionale, duke e lënë anash dashurinë ndaj vetvetes. Diplomacia shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të flasin me një gjuhë dhe jo, bie fjala, problemi me Serbinë të trajtohet nga dy këndvështrime ose edhe më keq, diplomacia e Tiranës të bëjë presion mbi diplomacinë e Prishtinës (rasti i Shengenit ballkanik). Është koha që të gjithë faktorët ndërkombëtarë, përkatësisht qendrat e vendosjes, ta ndjejnë një lloj presioni nga vetë shqiptarët: raporti Kosovë – Serbi ose zgjidhet me dialog konstruktiv ose Kosova dhe Shqipëria bëhen bashkë. Sepse Kosova as ka qenë e as është problemi i Ballkanit, por Serbia, kurse këtë e ka dëshmuar dhe e dëshmon historia e mbushur me mijëra fakte për terrorin serb mbi shqiptarët jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në hapësirat shqiptare të ish mbretërisë serbe-kroate-sllovene e më vonë mbretërisë komuniste jugosllave.

Pra, mungesa e vullnetit për njohje reciproke ka vetëm një alternativë: bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe krijimin e një realiteti të ri në Ballkan, pavarësisht retorikës se kjo do të ishte në kundërshtim me normat demokratike, me rezoluta e ligje ndërkombëtare (ndërsa kufijtë me shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës do të ishin vetëm kufij formalë). Në të kundërtën, kjo pjesë e Evropës do mbetet fuçi baroti, që në çdo çast mund të shpërthejë, kurse pasojat do të ishin të pariparueshme.

Nëse edhe më tej insistohet që zgjidhja e këtij problemi të lihet për kohë më të mira, atëherë duhet bërë të ditur botërisht se shqiptarët nuk kanë kohë t’i presin “kohët më të mira”. Prandaj, partitë shqiptare, kudo që veprojnë në hapësirën ballkanike, në vetëdijen e tyre primare duhet ta kenë përfaqësimin e indit shqiptar. Nëse shqiptarët nuk flasin me një gjuhë, të kota do të jenë edhe mbi 30 mandatet e shqiptarëve në Parlamentin e Maqedonisë, të kota do të jenë edhe të gjitha përpjekjet për një dialog konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë. Shqiptarët duhet t’i mbrojnë interesat e veta dhe jo të flijohen për interesa, bie fjala, ruse e pro-ruse. Ky lloj flijimi duhet të marrë fund, sepse shqiptarët me asgjë nuk i cenojnë politikat e askujt. Prandaj, është shumë pak e pritshme për të mos thënë aspak, që përpjekjet për dialogun midis Kosovës e Serbisë do të kenë një përfundim të dëshiruar. Sepse, është pikërisht Rusia, e cila kërkon që Rezoluta 1244 të jetë korniza juridike, brenda së cilës duhet të zhvillohet dialogu. Kjo, me fjalë të tjera, do të thotë se ky dialog nuk do të ketë fund asnjëherë. Natyrisht, gjithçka do të jetë e kotë nëse nuk vetëdijesohet klasa politike e Shqipërisë. E kundërta e kësaj është barazi me defaktorizim edhe të mëtutjeshëm të hapësirës shqiptare në Ballkan, e cila dukuri prodhon vetëm dështime të njëpasnjëshme dhe veprime vetëvrasëse. Shembulli më eklatant i vetëvrasjes është krijimi i Gjykatës Speciale për Kosovën, e cila, siç po tregohet, do të jetë e destinuar për njollosjen e luftës më të ndritshme në historinë e popullit shqiptar, luftës së UÇK-së, të cilës, pa përjashtim, iu bashkuan shqiptarët e të gjitha trojeve, për t’i dhënë fund okupimit shekullor dhe krijimit të një realiteti të ri në Ballkan dhe në Evropë.

Shqiptarët duhet t’i japin fund mungesës së lumturisë, zhytjes në poshtërsi e intriga, heronjve të rremë, analfabetëve në politikë, të cilët na mjaftuan si shembull i së keqes. Duhet t’i kthehemi edhe realitetit tonë të brendshëm, nëse duhet edhe nga pika zero dhe të mbërrijmë te thelbi i çështjes sonë të mbetur pezull më shumë se një shekull. Ndryshe, do të mbetemi (të shpërndarë) vetëm si probleme të imta parciale të Ballkanit. Kurse problemet e imta zakonisht mbeten margjinave të problemeve të mëdha dhe me peshë. Dhe, në ato margjina (problemet e imta) bëhen të pandjeshme.

Leave a Reply