Skandal me prokuroren speciale në Shkup, dyshohet se shiti përgjimet për të bërë shantazh

Korrupsioni dhe shantazhet në Maqedoninë e Veriut kanë përfshirë në një skandal të përmasave të mëdha krerët e gjyqësorit, si dhe disa politikanë e biznesmenë.

Pronari i një televizioni në Shkup Bojan Jovanovski, i njohur ndryshe si Boki 13 së bashku me shtetasin Zoran Milevski – Kiçec kanë siguruar disa përgjime të biznesmenëve dhe politikanëve nga Prokuroria Speciale,  madje dyshohet se i kanë siguruar nga dora e prokurores speciale Katica Janeva dhe i kanë përdorur ato si shantazh me qëllim që të zhvatin para nga persona të përfshirë në përgjime, kryesisht biznesmenë.

Të dy të dyshuarit janë arrestuar.

Pronari i televizionit Boki 13 dyshohet ndër të tjera se i ka marrë 1,5 milionë euro biznesmeni Orce Kamçev. Ky i fundit një biznesmen i fuqishëm me shtetësi edhe bullgare, i cili njihet si një njeri i afërt i kryeministrit bullgar Bojko Borisov dhe një financues i fushatave të tij zgjedhore. Sipas Prokurorisë, Kamçevi ua ka dhënë paratë, ndërsa si dëshmi ekzistojnë audio dhe video-regjistrime.

Skandali i quajtur Reket mori përmasa të mëdha me përfshirjen e Sofjes zyrtare, ku sipas mediave maqedonase dhe bullgare prej disa muajve agjentë bullgarë kanë operuar në Shkup për të zbardhur përfshirjen e kryeprokurores dhe pronarit të televizionit 1TV në këtë skemë korrupsioni dhe shantazhi.

Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka hedhur poshtë pretendimet e ndërhyrjes së kryeministrit bullgar Borisov në këtë çështje. Këtë e ka deklaruar Kryeministri Zoran Zaev në intervistë për një media bullgare, i pyetur për rastin e fundit që drodhi themelet e shtetit. Ndërkohë sipas mediave bullgare, Borisov ka kërkuar që mos ti preket as një fije floku mikut të tij Orce Kamçevit.

Ndërkohë Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski kërkoi nga organet kompetente që të zbardhin sa më shpejt rastin “Reket” dhe të mos lihet hapësirë për dyshim.

Tashmë prokuroria po heton dhe dy telefonat celularë të prokurores special Katica Janeva, nëse ajo ka biseduar në telefon me Boki 13 për videopërgjimet e dhëna dhe për marrje parash në këmbim.

Katica Janeva, në postin e prokurores speciale u emërua më 15 shtator 2015, me mbështetje edhe të opozitës. Qëllim kryesor të punës së saj kishte hetimin e aferës së përgjimeve, që ishte publikuar në shkurt të 2015-ës nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër. Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria Speciale ka ngritur 17 padi penale kundër 94 personave. Në mesin e atyre që janë paditur e që janë dënuar është edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Dhe tashmë listës i është shtuar edhe ajo vetë.

Leave a Reply