Sondazhi amerikan: Shqiptarët nuk besojnë tek qeveria dhe partitë. Besojnë te NATO-ja dhe BE

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) prezantoi të hënën gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeveri” për vitin 2015.

Gjetjet e sondazhit tregojnë nivel relativisht të ulët të besimit ndaj institucioneve publike. Mbi 50% e të anketuarve nuk shprehin besim ndaj pjesës dërmuese të institucioneve publike shqiptare. Referuar sondazhit, në Shqipëri nivelin më të lartë të besimit e gëzon NATO me 74% dhe BE me 72%, ndërsa institucionet fetare zënë vendin e tretë me besimin më të madh.Mbi 1 në 2 shqiptarë të anketuar (52%) deklarojnë se u besojnë institucioneve fetare. 1 nga 3 qytetarët e anketuar 34% i besojnë qeverisë. Kjo e fundit gëzon besim më të madh se parlamenti me përkatësisht 34% dhe 22 %. Shqiptarët kanë po aq besim tek media 39% sa ç’kanë dhe tek organizatat jofitimprurëse 38%.

Nga ana tjetër, institucionet më pak të besuara janë sistemi  gjyqësor dhe partitë politike, ndërsa institucionet që kanë pësuar rënien më të madhe të besimit në vitin 2015 janë: Parlamenti (nga 29% në 22%) dhe sistemi shëndetësor (nga 32% në 27%). Media është i vetmi institucion që nuk ka pësuar ndryshim në nivelin e besimit.Që nga viti 2013, gjyqësori dhe institucionet e sistemit arsimor po përballen me një rënie të besimit publik në krahasim me policinë, e cila po përjeton një rritje të qëndrueshme. Në krahasim me vitin 2014, analiza tregon se 7 nga 14 institucione kanë përjetuar një rënie ose asnjë ndryshim në nivelin e tyre të besimit.

Institucionet e tjera që kanë përjetuar një rritje të besimit nga viti 2014 janë: Policia (nga 41% në 45%), Presidenti (nga 25% në 29%), organizatat e shoqërisë civile (nga 34% në 38%) dhe Bashkimi Evropian (nga 68% deri 72%).

Opinioni publik është i ndarë në qëndrimin e tij nëse institucionet publike shqiptare janë transparente dhe të përgjegjshme në punën e tyre të përditshme.47% e qytetarëve të anketuar besojnë se institucionet publike shqiptare nuk janë transparente dhe të përgjegjshme, në krahasim me 41% që besojnë të kundërtën.

Sondazhi i IDM-së, i mbështetur nga BE dhe PNUD, synon matjen e nivelit të besimit të publikut tek institucionet qeveritare si dhe qëndrimin e qytetarëve ndaj punës së institucioneve publike dhe ofrimit të shërbimeve në Shqipëri.

Leave a Reply