Sondazhi Kombëtar i Studentëve 2019 mbi cilësinë e mësimdhënies

Në kuadër të Paktit për Universitetin, Sondazhi Kombëtar i Studentëve 2019 mbi cilësinë e mësimdhënies është një proces vendimmarrjeje, ku studentët shprehin mendimin e tyre me anë të pyetësorit që plotësojnë lidhur me cilësinë e mësimdhënies dhe mbështetjes institucionale që iu ofrojnë institucionet e Arsimit të Lartë. Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, pas një pune disa mujore dhe takimeve informuese në çdo Institucion të Arsimit të Lartë të vendit ku kontaktoi me mbi 4,200 studentë në 8 qytete, nisi më 16 prill Sondazhin Kombëtar të Studentëve.

Nëpërmjet një e-maili që dërgohet nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, mbi 100 mijë studentëve u është dërguar linku nga ku mund të plotësojnë sondazhin online për vetëm 15 minuta. Kleita, është një studente që ka plotësuar pyetësorin që vlerëson universitetin e saj dhe ndihet që zëri i saj u dëgjua.

“Pas bisedës me një miken time që kishte plotësuar formularin kontrollova e-mailin dhe më kishte ardhur dhe mua njoftimi. Në dijeninë time është hera e parë që zhvillohet një pyetësor i tillë dhe kam bindjen se do ia vlejë”, – u shpreh ajo. Sipas saj, pyetjet ishin mjaft të detajuara për të nxjerrë thelbin e problematikave të studentëve .

“Pas protestës kam bindjen se zëri ynë kësaj herë nuk do të shkojë në vesh të shurdhër. Të vetëm nuk i ndryshojmë dot gjërat ftoj të gjithë të behën pjesë e këtij procesi vendimmarrjeje”, – tha Kleita. Një tjetër student që ka plotësuar pyetësorin është edhe Aldo. “Mendoj se të gjitha sondazhet janë të një mundësi e mirë që studentët të shprehin zërin e tyre, në mënyrë anonime për universitetin dhe pedagogët e tyre.Kishte 100 pyetje dhe besoj se të gjitha ato rezauronin problematikat që ka universiteti. Mua më janë dashur vetëm 5 minuta për ta plotësuar këtë formular”, tha ai.

Aldo shpreson që pas këtij sondazhi të bëhen ndryshime radikale në universitet. Ministria e Arsimit bën thirrje studentëve që të bëhen pjesë e këtij procesi vendimmarrjeje duke shprehur vullnetin e tyre në këtë pyetësor. Sondazhi Kombëtar i Studentëve 2019 do të japë një sens të qartë të situatës së brendshme të çdo komuniteti studentor në çdo fakultet, në raport me të gjitha aspektet”.

Leave a Reply