Ancelotti: Jemi të bashkuar, Casillas titullar

“Jemi gati për një gjysmëfinale të madhe”. Këto ishin fjalët e para të trajnerit të Realit, Carlo Ancelotti, i cili duhet të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë nëse dëshiron që të shkojë për të dytin vit radhazi në finalen e Champions-it.

“Skuadra është e bashkuar dhe e përqendruar, gati të bëjmë një gjysmëfinale të madhe dhe më pas një tjetër finale. Duam të bëjmë histori, pavarësisht se statistikat nuk janë në anën tonë. I kam kërkuar lojtarëve që të jenë të qetë, sepse e di që secili prej tyre ka një dëshirë të madhe për të shkuar në Berlin”, është shprehur italiani.

Skuadra është kontestuar shumë kohët e fundit, me tifozët të cilët nuk ndalin fërshëllimat ndaj Cristiano Ronaldo-s dhe kapitenit Iker Casillas, por kjo nuk e shqetëson shumë Don Carlo-n, që do luajë në portë me 33-vjeçarin.

“Ndonjëherë, kur nuk jemi në nivelin më të mirë, edhe mund t’i kuptoj fërshëllimat, por në shumë raste ne kemi qenë super, prandaj e kam të vështirë të kuptoj pse e bëjnë këtë gjë. Casillas dhe Cristiano kanë besimin tim, ndërsa të dy japin maksimumin për skuadrën. Patjetër që ata do jenë titullarë të mërkurën”, deklaroi trajneri.

Ancelotti, i cili nuk ka pranuar të flasë për kampionatin, ka dhënë të rejat e fundit për gjendjen e Benzema-së, si dhe pozicionin ku do të luajë Sergio Ramos. “Benzema është 100% gati, është stërvitur me skuadrën dhe ndjehet shumë mirë. I vetmi shqetësim është se ai nuk ka luajtur prej një muaji. Ramos? Ka mundësi që të luajë sërish në mesfushë”, deklaroi Ancelotti.

Pavarësisht mungesës së rezultateve në ndeshjet e fundit, Ancelotti është i kënaqur me lojën e skuadrës së tij. Ndërsa nuk beson se Juventus do të udhëtojë në Madrid për t’u mbrojtur. “E vërtetë që nuk kemi pasur rezultate, por me lojën që kemi zhvilluar kemi qenë në nivele të larta. Juve? Nuk besoj se do vijnë të luajë ‘catenaccio’, sepse ata bëjnë një futboll të bukur, pavarësisht a luajnë me tre apo katër mbrojtës”, përfundoi Ancelotti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *