De Biasi: Ishte një ndeshje speciale

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Gianni de Biasi ka thënë se ndeshja me Kosovën ka qenë speciale dhe vëllazërore, duke lënë të nënkuptohet se kjo nuk ishte fytyra e vërtetë e Kombëtares kuqezi.

“Ishte një ndeshje speciale dhe ashtu duhet ta marrim. Shqipërinë e vërtetë do ta shohim të hënën kundër Gjeorgjisë. Ndeshje si këto (kundër Kosovës) janë vështirë për t’u përgatitur pasi deri në minutën e fundit lojtarët takojnë familjarët e tyre. Sidoqoftë ajo që më pëlqeu më shumë nga kjo ndeshje ishte atmosfera e jashtëzakonshme që u krijua nga tifozët”, deklaroi De Biasi.

Ndërkohë, për trajnerin Albert Bunjaku kjo sfidë ishte e njëjtë si një kualifikuese, kjo për shkak se Shqipëria ishte një kundërshtar i fortë. Ai tha se ndeshja përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ishte një ndeshje e bukur dhe nuk kishte si të përfundonte më mirë se kaq. Për ne ka pasur shumë rëndësi, pasi është si të luajmë një ndeshje kualifikuese. Tifozët gjithashtu kanë qenë të mrekullueshëm pasi kanë krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme. Skuadra? Jam i kënaqur, kanë treguar një disiplinë në mbrojtje dhe jemi treguar kreativ në pjesën ofensive”, përfundoi Bunjaki, i cili tha se kishte pritur që De Biasi do të eksperimentonte me formacionin.

Leave a Reply