Fillim spektakolar për Liverpulin, shkatërron West Ham-in

Sadio Mane ndëshkoi dy herë West Hamin ndërsa Mohamed Salah realizoi golin e parë sezonal, për t’i dhënë Liverpool një fitore bindëse 4-0, në ditën e parë të sezonit të ri, që ishte edhe e 500-ta për Reds në Premier League. Senegalezi i ka shënuar tre gola dhe ka dhënë 3 asist në katër ndeshjet e fundit kundër “Hammers” dhe u bë sërish vendimtar këtë të dielë, me dygolshëin e tij, në një ndeshje të dominuar tërësisht nga vendasit në “Anfield Road”.

Fakti që më i miri në fushë për miqtë ishte portieri Lukasz Fabianski tregon që Reds-at ishin në formë të papërmbajtshme.

Serinë e golave e hapi pas vetëm 19 minutash lojë Mohamed Salah. Naby Keita, i cilësuar si Steven Gerrard i ri, dha një top të bukur në krah të majtë për Andy Robertson, krosimi i të cilit ishte perfekt për egjiptianin që vetëm sa e shtyu në rrjetë.

Mbrojtja e londinezëve u duk edhe më e shpërqendruar te goli i dytë, në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Të gjithë kujtuan se Mane ishte në pozicion jashtë loje pas një krosimi nga e majta, por senegalezi qendroi i ftohtë para portës thuajse të boshatisur për të devijuar në rrjetë topin e pasuar nga Milner.

Tetë minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Mane shënoi edhe golin e tretë, edhe pse ishte në pozicion jashtë loje kur mori topin e pasuar nga Firmino për të mposhtur Fabianskin. Por mungesa e VAR në Premier League dhe gabimi i arbitrit nuk e ndërprenë aksionin, duke i dhënë Liverpool golin e sigurisë së tri pikëve të para.

Kur kishin mbetur edhe tetë minuta, Mane i la vendin në lojë Xherdan Shaqirit, i cili bëri në këtë mënyrë debutimin me fanellën e Liverpool në një ndeshje zyrtare. Dy minuta nga fundi, Daniel Sturridge shënoi golin e katërt, me prekjen e parë të topit pasi sapo ishte futur në lojë në vend të Milner prej vetëm 24 sekondash.

Leave a Reply