Kategoria Superiore, Kukësi fundos Tiranën. Teuta siguron mbijetesën

Kukësi ka shënuar fitore në sfidën ndaj Tiranës, duke i shënuar katër gola bardhebluve, për herë të parë që nga viti 2012, për një triumf që vlen Europën. Shtyllat ndalën dy herë kryeqytetasit, të cilët e mbyllën ndeshjen me dhjetë lojtarë, për shkak të përjashtimit me të kuq të Pashajt.

Serinë e golave, veriorët e hapën në minutën e pestë, kur mesfushori Vilfor Hysa pas një aksioni individual arrin të mposhtë portierin Stivi Frashëri. Kur kishin kaluar 17 minuta nga ndeshja, Kukësi dyfishoi rezultatin në 2-0 me sulmuesin Pero Pejiç. “Këpuca e Artë” e këtij viti do gjente golin e dytë pas nëntë minutash, ndërsa do të arrinte tripletën e tretë sezonale në të 38-n nga pika e bardhë.

Katër gola në pjesën e parë nuk i dhanë shumë mundësi Tiranës që të besonte në ndonjë rezultat pozitiv, ndërsa shpresat u shuan në minutën e 58, kur Pashaj ndëshkohet me të kuq nga gjyqtari Barushi. Gjithçka çfarë bëri Tirana, ishte goli i nderit në minutën e 81 me anë të Selemani Ndikumana-s.

Teuta do të luajë në Superiore edhe vitin e ardhshëm, falë fitores 1-0 ndaj Apolonisë. Ardit Peposhi në minutën e 93-të çoi në një kategori më poshtë fierakët, të cilët menduan se kishin arritur të merrnin një pikë. Durrësakët u treguan të rrezikshëm edhe në minutën e 87-të, por shtylla i mohoi golin. Ndërkohë, edhe Apolonia pati rastet e saj me Uzunin, por ndeshja në “Niko Dovana” përfundoi në të mirë të vendasve.

Fitore minimale, por shumë e vlefshme për Partizanin që tashmë prek Europën. Të kuqtë shënuan fitore ndaj Vllaznisë, falë golit të Mazrekajt nga pika e bardhë në minutën e 25. Gjithçka ndodhi pas ndërhyrjes së portierit të Vllaznisë, Alen Sherri dhe gjyqtari Andi Koçi akordoi penallti për Partizanin.

Ndërkohë, fitore ka shënuar edhe Laçi që mposhti 2-0 Elbasanin. Në minutën e 18, Agim Meto nuk gaboi i vetëm përballë Myftaragos për 1-0. Gjashtë minuta nga koha e rregullt, Emiljano Çela shënon për 2-0, falë një kombinimi të bukur me Stipe Bujanin.

Leave a Reply