Ky është formacioni i mundshëm i Shqipërisë kundër Norvegjisë

Moduli që ka zgjedhur ai është 4-3-3, duke nisur me portën, që do të mbrohet nga Strakosha. Përpara “gardianit” të Lazios do të vendosen katër mbrojtës. Ajeti dhe Mavraj në qendër, ndërsa Hysaj dhe Lenjani nga e djathta në të majtë. Sikurse duket, Ajeti ka fituar balotazhin me Gjimshitin, ndërsa Lenajni ka lënë në stol Alijin. Pika më nevralgjike, ku Panucci do të provojë dhe eksperimentojë është e majta e mbrojtjes, ku ka qenë përherë “pronar” Ansi Agolli. Ky i fundit nuk është thirrur për këtë miqësore dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të jetë më në kombëtare, në kuadrin e rinovimit. Mesfusha do të përbëhet nga tre kuqezinj. Në qendër do të luajë Ramadani, që starton për herë të parë si titullar në kombëtaren e madhe, duke pasur nga krahët Xhakën dhe Qaka, nga e majta në të djathtë. Në majën e sulmit do të luajë Sadiku, edhe pse nuk ka pasur minutat e duhura aktivizim në klubin e tij. Megjithatë, elbasanasi ka superuar rivalitetin e Balajt dhe Cikalleshit, të cilët mund të kenë minuta në këtë miqësore me kalimin e kohës.

Nga krahët do të “patrullojnë” Roshi dhe Grezda, nga e djathta në të majtë. Të dy këta lojtarë të shpejtë kanë për detyrë të asistojnë Sadikun, në rolin e finalizuesit të spikatur. Duke iu referuar numrit më të shumtë të ndeshjeve me kombëtaren, Odise Roshi do të mbajë shiritin e kapitenit kuqezi, për herë të parë. Referuar përballjeve mes dy përfaqësueseve, kemi të bëjmë me një barazpeshë të plotë. Deri më tani, Shqipëria dhe Norvegjia janë ndeshur katër herë. Kuqezinjtë kanë regjistruar një fitore, dy barazime dhe një humbje ndaj nordikëve. Përplasja e fundit në Tiranë ka përfunduar me barazimin 1-1, ndërsa ajo e fundit në Oslo është fituar 1-0 nga kuqezinjtë, me atë gol të mrekullueshëm të Hamdi Salihit. Të dyja këto sfida kanë qenë në kuadrin e kualifikuesve të “Botërorit 2014”. Norvegjia vjen pas një fitoreje të pastër 4-1 ndaj Australisë, pak ditë më parë, ndërsa Shqipëria ka luajtur për herë të fundit ndaj Turqisë, në Stamboll, në një miqësore, e cila ka përfunduar me fitoren tonë, 3-2.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *