Stuhia dimërore arrin në Austri, sjell erëra të fuqishme

Erërat e fuqishme rrëzuan shumë drunj, duke i bllokuar rrugët dhe binarët e trenave në Austri dhe në pjesën jugore të Gjermanisë. Reshjet e mëdha të shiut ditë më parë i përfshinë edhe disa shtete të tjera e më së shumti Britaninë e Madhe.

Në Austri, qyteti i Salzburgut, afër kufirit me Gjermaninë, u godit nga stuhia të martën. Transmetuesi publik raportoi se mbi 400 zjarrfikës kanë punuar me orar të zgjatur për t’i larguar pengesat nga rrugët dhe drunjtë që kishin rënë mbi disa vetura.

Kompania gjermane e hekurudhave, Deutsche Bahn, e cila i kishte anuluar të gjitha udhëtimet e gjata të hënën, njoftoi se ato kanë vazhduar të martën, me përjashtim të zonës jugore të vendit.

Viktima nga stuhia u regjistruan në disa shtete, përfshirë Poloninë, Suedinë, Britaninë, Slloveninë, Gjermaninë dhe Republikën Çeke, shkruan “Associated Press”.

Në pjesëvn veriore të Bavarisë, ku u regjistruan erëra me shpejtësi deri në 160 kilometra në orë, u prodhua sasi rekorde e energjisë elektrike përmes turbinave të erës.

Në Angli dhe Skoci, agjencia kombëtare e motit i la në fuqi 85 paralajmërime për vërshime për shkak të reshjeve të mëdha të shiut.

Leave a Reply