“Sulmet e Iranit janë shkelje e sovranitetit të Irakut”

Kryetari i Parlamentit të Irakut, Mohammed al-Halbousi, ritheksoi kundërshtimin absolut ndaj palëve në konflikt që të përdorin territorin irakian për të zgjidhur konfliktet e tyre

Kryetari i Parlamentit të Irakut, Mohammed al-Halbousi, ka dënuar sulmet hakmarrëse iraniane ndaj bazave në Irak ku janë stacionuar trupat amerikane, duke i përshkruar ato si “shkelje e sovranitetit të Irakut”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Përderisa ne e dënojmë shkeljen e sovranitetit të Irakut sot në agim nga ana e Iranit, ne ritheksojmë kundërshtimin tonë absolut ndaj palëve në konflikt për të përdorur territorin irakian për të zgjidhur konfliktet e tyre”, tha al-Halbousi në një deklaratë pas sulmeve hakmarrëse iraniane kundër trupave amerikane në Irak.

Al-Halbousi u bëri thirrje palëve në konflikt për vetëpërmbajtje dhe favorizim të mençurisë për të shmangur përshkallëzimin dhe luftën dhe për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e Irakut.

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, trupat e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) lëshuan dhjetëra raketa balistike kundër forcave ushtarake amerikane dhe të koalicionit në Irak, si hakmarrje për vrasjen e komandantit Qasem Soleimani.

Komentet e Al-Halbousit vijnë pasi Parlamenti i Irakut të dielën votoi për dëbimin e trupave amerikane nga vendi, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump e refuzoi këtë duke e kërcënuar Bagdadin zyrtar me sanksione.

Tensionet janë të larta në rajon pas sulmit me dron të SHBA-ve javën e kaluar, ku u vra gjenerali i lartë iranian, Qasem Soleimani.

Pas sulmeve iraniane, ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Mohammad Javid Zarif, konfirmoi se Irani mori masa vetëmbrojtjeje dhe nuk kërkon të përshkallëzojë konfrontimin.

Leave a Reply