Takimi me Haradinajn, Meta: Vijim dialogut me Serbinë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Që në nisje të takimit, Meta e uroi zotin Haradinaj për krijimin e qeverisë së re të Kosovës si dhe për detyrën të rëndësishme si kryeministër i Republikës së Kosovës. Mes të tjerash ai shprehu angazhimin e tij për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, në interes të rritjes së mëtejshme të njohjeve ndërkombëtare si edhe forcimit të perspektivës evropiane.

Meta theksoi rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, shkencore, arsimore, turistike, kulturore dhe të gjitha formave të tjera mes dy vendeve tona. Presidenti Meta përshëndeti gatishmërinë e Kryeministrit Haradinaj dhe qeverisë së re të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si një proces pa alternativë dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit të rajonit.

Kreu i shtetit nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në gjithë rajonin, duke theksuar se Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane. Meta vlerësoi marrëdhëniet e NATO-s me Kosovën, si dhe rëndësinë e ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.
22095347_345246159234560_646277444_o

Leave a Reply