Të moshuarit, të parët në listën e vaksinës

Të moshuarit në azile në Britaninë e Madhe mbeten target-grupi më i rrezikuar nga Covid 19. Një problem tjetër shumë i madh mbetet edhe ndarja nga të afërmit apo largësia me bashkëshortet.

Përqafimet dhe puthjet midis njëri-tjetrit u ndalën që nga Marsi. Për këtë arsye pas lehtësimit të disa masave shtëpitë e kujdesit iu dhanë mundësi vizitorëve që të bënin teste të shpejta rezultati i të cilave dilte për rreth 30 minuta, në mënyrë që të takonin familjarët e tyre.

Bob Underhill, një pensionist 84-vjeçar, u ribashkua me gruan e tij Patricia, 82 vjeç, e cila ka Alzheimer. Të dy u takuan, u përqafuan dhe u puthën përmes maskave të fytyrës.

“Unë e kam parë atë vetëm dy herë që nga Marsi sepse u vendosëm në izolim dhe kështu duhet të prisnim me muaj që të mos infektoheshim. E kam parë të premten e kaluar edhe pse kjo nuk ishte shumë e këndshme pasi ruanim distancën dhe maska na pengonte që të bisedonim”, ka treguar Bob.

Patricia u zhvendos në një shtëpi në Londër në Mars pasi theu legenin dhe Bob nuk mund të kujdesej më për të.

Covid-19 u përhap me shpejtësi nëpër azilet britanike në fillim të pandemisë, pasi institucionet e gjetën veten të papërgatitur, pa pajisje mbrojtëse të përshtatshme dhe stafi i agjencisë punonte nga një azil në tjetrin.

Kjo bëri që shtëpitë të ishin nën bllokim të rreptë dhe të kufizonin vizitat për të afërmit. Rreth 17,319 njerëz kanë vdekur nga Covid-19 në shtëpitë e kujdesit në Britani deri në 20 Nëntor, sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare.

Ndërkaq të moshuarit dhe personeli i shtëpive të kujdesit do të jenë ndër të parët në radhë për t’u vaksinuar pasi Britania u bë vendi i parë në botë që miratoi vaksinën Pfizer për Covid-19.

Leave a Reply