Të tjera aksione antikanabis, asgjësohen qindra bimë në veri e jug

Policia në Mallakastër ka arrestuar në orët e fundit dy persona dhe ka shpallur në kërkim një të tretë për kultivim narkotikësh.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave, u prangosën Agron Memusha dhe Muharrem Ymeraj, ndërkohë që në kërkim është shpallur shtetasi me iniciale S.Y.

Burimet saktësojnë se uniformat blu gjetën 223 rrënjë kanabis në tokat në pronësi të të arrestuarve. Materialet i kanë kaluar tashmë prokurorisë për procedim të mëtejshëm.

Ndërkohë, në një operacion të ngjashëm të shtrirë në Qarkun e Shkodrës, forcat e policisë kanë asgjësuar 730 rrënjë kanabis.

Sipas zyrtarëve lokalë, bimët narkotike janë gjetur në bjeshkët e fshatit Xhaj dhe në fshatin Vilë.

Policia ka nisur hetimet për gjetjen e kultivuesve, ndërkohë që ka proceduar penalisht edhe kryeplakun e fshatit Xhaj.

Leave a Reply