Vëllazërim-Bashkimi sipas Islamit

Temë Seminarike

“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat) e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (El-Huxhuratë, 13)

Nga Sulejman Rexhepi*

Të nderuar anëtar të Shoqatës “Ilmije”. Feja Islame është ajo që apelon, fton të besohet në një dhe të vetmin Allah xh.sh, andaj ai i cili nuk e shoqëron Allahun xh.sh në besim ose ibadet, nuk mundet të jetë ithtar i kësaj feje madhështore. Feja Islame ashtu siç kërkon nga ithtarët gjegjësisht, nga anëtarët e saj besim të pastër, kërkon që ithtarët t’i pastrojnë shpirtërat dhe trupat e tyre nga gjërat e kota. Nga ajeti Kuranor me të cilin e filluam këtë paraqitje gjegjësisht ligjeratë, duhet ta kemi të qartë dhe të kuptojmë njëherë e përgjithmon se Islami thërret në vëllazërim. Vëllazërim-Bashkimi sipas rregullave Islame nuk është artificial, por se është punë dhe çështje esenciale, andaj Allahu xh.sh i drejtohet mbarë njerëzimit, pa dallim nacionaliteti, race dhe gjinie. Ashtu në ajetin paraprak thuhet se të gjithë njerëzit kanë një krijues, dhe ai është Allahu xh.sh dhe se mbarë njerëzit rrjedhin nga një baba dhe një nënë (Ademi dhe Hava). Nga këtu duhet të kuptojmë se nuk kemi të drejt që t’i urrejmë krijesat e Allahut, të cilët në të njejtën kohë janë vëllezër dhe motra tona, çeshtje që e rekomandon Allahu xh.sh dhe thotë: “Ju mes vete duhet të ndihmoheni”, në fund të fundit vlera e njeriut llogaritet te Allahu xh.sh në respektimin e urdhërave hyjnore të Zotit.

Të nderuar vëllezër, ne me profesionin tonë, si anëtar të Shoqatës “Ilmije”, në veçanti si trashëgimtarë të Dërguarve të Allahut bartim përgjegjësi ndaj Allahut xh.sh në sqarimin dhe interpretimin e Kuranit dhe Islamit në tërësi. Nga rekomandimet Kuranore të cilave Allahu xh.sh ju kushtoi rëndësi dhe vlerë të madhe është edhe vëllazërimi edhe bashkimi i të gjithë njerëzëve, fillimisht ne duhet të jemi të bindur në këto dogma Islame, dhe më pastaj ta mbjellim tek ithtarët e fesë Islame. Kur njerëzimi do ta respektonte këtë urdhër Kuranor, pa dyshim se në mjediset tona dhe në tërësi në botë nuk do të kishte gjakderdhje, motivet e të cilave ishin urrejtje nacionale, ndarje në klase, fise e race, etj.

Të nderuar vëllezër, Muhamedi a.s duke filluar nga shek. VI dhe VII, porositi barabarësi të plotë mes njerëzve duke thënë: “Njerëzit janë të barabartë sikur dhëmbët e krehërit të folokëve”. Muhamedi a.s e vazhdon fjalën e tij duke thënë: “ O njerëz, të gjithë jeni bijë të Ademit a.s., derisa Ademi a.s është i krijuar nga dheu (toka), nuk ka dallim mes Arabit dhe joarabit, as të bardhit nga i ziu, njeriu vlerësohet te Allahu xh.sh me bindje dhe besim.”

Nga ky hadith i Muhamedit a.s nënkuptohet se Islami rreptësisht e ndalon mosdurimin, urrejtjen nacionale dhe çfarë do që të jetë ndarje dhe mosvlerësimi i njerëzve.

Muhamedi a.s vërteton se vlera e njeriut ndaj Allahut peshon varësisht nga veprat e mira, kualitetet morale dhe cilësitë e mira njerëzore si realizues i urdhërave hyjnore, Zotit. Si argument për këtë mund të shërbehemi me fjalët e mira të Muhamedit a.s : “Allahu i  Plotëfuqishëm nuk shikon në fizionomitë e juaja, e as në emrat e juaj, e as në pasurinë tuaj, porse Ai shiqon zemrat dhe veprat e juaja”.

Të përkujtojmë këtë moment, të asaj që ndodhi në kohën e Muhamedit a.s, kur njëri i tha një njeriut: “O bir i zezakes” që kishte për qëllim ta nënvlerësojë shokun e tij. Kur Muhamedi a.s. dëgjoi për këtë rast u hidhërua tepër dhe tha: “U shkatërrua, u shkatërrua, u shkatërrua, në Islam nuk ka vlerë më të madhe djali i gruas së bardhë nga djali i një gruaje të zezë, vlera e njeriut peshon në vlerat e tija morale, kualitetet edukative dhe besim.”

Përsëri po theksoj se ndaj mësimeve Islame rreptësisht ndalohet bërja e dallimit të njerëzve në bazë nacionale, gjinore, gjuhë, prejardhja familjare, këtë e vërteton Muhamedi a.s me fjalët e tij para familjes së tij kur thoshte: “ O beni Hashimij, mos mendoni se njerëzit do të dalin para Allahut xh.sh me veprat e tyre, kurse ju në emër të familjes së juaj.”

Të nderuar anëtar të Shoqatës nga e gjithë kjo nënkuptohet se sipas mësimeve Islame njerëzit janë të barabartë dhe duhet të jetojnë në frymën e vëllazërim-bashkimit. Ne këtu në Jugosllavi, e cila është shumë nacionale, duhet normat Islame t’i fusim në bashkëjetesën e përbashkët, ta duam atdheun tonë të përbashkët, mes vete të respektohemi ashtu siç na porosit Islami.

Përcjell Enes bin Malik, nga Muhamedi a.s i cili tha: “Nuk ka iman, Islam të vërtet (drejt) ai që nuk ia dëshiron fqiut ose vëllaut të tij atë që ia dëshiron vetvetës.”

Sipas një variant tjetër që e përcjell Imam Ahmedi, Muhamedi a.s ka thënë: “Nuk mundet robi i Allahut të arrijë të vërtetën e Imanit, deri sa nuk ua dëshiron njerëzve atë që e don për veten e tij.” Muhamedi a.s vazhdon me fjalën e tij më këtë çështje dhe thot: “Tre herë u betua në Allahun xh.sh Vallahi, nuk ka Iman të vërtet (drejt ai njeri prej të cilit fqiu i tij nuk është i mbrojtur (qetë).”

Ne si shërbëtor fetar, duhet t’i tregojmë ithtarëve të fesë Islame se fqinjë dhe vëllezër i kemi të gjithë popujt dhe kombet të cilët jetojnë në Jugosllavinë tonë Socialiste.

Vëllezër, t’ju përkujtoj në këtë moment se shoku Tito shumë herë e ka theksuar këtë çështje ashtu që një herë tha: “Vëllazërim-bashkimi nuk realizohet vetëm me fjalë, por edhe me vepra.” Me këtë fjalë dua t’ju them se ne duhet deri në fund të luftojmë kundër të gjithë elementeve, të cilat mundohen të na e rrënojnë vëllazërim-bashkimin tonë. Sëmundje më e rrezikshme dhe helmuese për prishjen e vëllazërim-bashkimit dhe se armik më i madh i socializmit është shovenizmi, nacionalizmi dhe kohëve të fundit iredentizmi Shqiptar.

Lidhur me këtë çështje është tejet e rëndësishme të theksohet, se Muhamedi a.s si i dërguar i Allahut duke filluar nga shek. VI dhe VII ka luftuar kundër shovenizmit dhe nacionalizmit me fjalët e tija të përgjithshme kur thoshte: “Nuk është prej nesh, ai që thërret në shovenizëm.” Interesante është të theksohet se Muhamedi a.s që në atë kohë dinte të dallonte shovenizmin nga dashuria e pastër nacionale, kur njëri nga bashkëbiseduesit e pyeti Muhamedin a.s: “O i dërguar i Allahut a llogaritet shovenizëm nëse njeriu e dashuron popullin e vet? Muhamedi a.s iu përgjigj: “Ta dashurosh popullin tënd nuk është shovenizëm, por shovenizëm llogaritet kur dikush e përkrah dhe ndihmon popullin e tij që t’i dëmton popujt e tjerë.”

Duhet mes vete të respektohemi edhe atë jo deri sa jemi gjallë por edhe pas vdekjes, dhe për këtë që e themi do ta vërtetojmë me rastin që i ndodhi Muhamedit a.s, i cili, përderisa po qëndronte ulur, papritmas kaloi një xhenaze nga një i vdekur Çifut. Muhamedi a.s ashtu siç ishte ulur  u ngrit në këmbë, qëndroi ashtu në shënjë respekti deri sa kaloi kufoma. Njëri nga shokët e tij tha: “O i dërguar i Allahut pse u ngrite në këmbë, i vdekuri ishte Çifut. Muhamedi a.s iu përgjigj me këto fjalë: “A nuk ishte njeri”, Ai iu përgjigj se: po, sigurisht njeri ishte. Atëherë Muhamedi a.s. i tha: “ Po të tregoj dhe këshilloj se në fenë Islame çdo njeri e ka vendin e vet dhe respektin.”

Të gjithë e dimë se sipas normave Islame çfarë do të thotë: “ Dhimi” (Jomusliman që jeton në një shoqëri me muslimanët). Me këtë rast Muhamedi a.s tha: “Ai, që ngrit dorë të mbysë një jomusliman të pafajshëm, ai nuk ka për ta shijuar erën e xhennetit-parajsës.”

Të nderuar kolegë, duhet ta ruajm autoritetin e fesë Islame, të mos lejojmë që dikush për shkak të qëllimeve të tij armiqësore ta keqpërdor Islamin. Islami si fe ishte dhe do të mbetet i pastërt deri sa të ekzistojë jeta në tokë. Si argument për këtë është fjala e Allahut xh.sh.: “ Ne e kemi zbritur Kuaranin dhe Ne do ta mbrojmë.”/Takvimi 1987/

*Autori është kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *