Trendet e teknologjisë që nuk duhet t’i humbisni më 2021

Mirë se vini në botën e vitit 2021. Një vit tjetër që duket se do të formësohet nga trendet e nisura në fillim të vitit 2020 nga pandemia shkatërruese për ekonominë.

Duke filluar nga mënyra sesi njerëzit blejnë e deri te mënyra e argëtimit, pothuajshe asnjë aspekt i jetës nuk ka mbetur i pandikuar nga përhapja globale e koronavirusit.

Kjo, do të ketë ndikim të madh edhe në teknologjinë që do të përdoret më 2021.

Për një vit, COVID-19 e ka shtyrë botën në një të ardhme shumë të ndryshme.

Po të shikosh përpara, duket se pandemia do të vazhdojë të përshpejtojë këto trende të teknologjisë, të cilat veçse ishin në proces. Përvetësimi i sjelljeve të reja teknologjike në përgjigje të realitetit të imponuar nga COVID-19 tashmë ka arritur nivele që nuk priteshin për disa vjet, duke transformuar dhe përshpejtuar zhvillimet në sektorë si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe shitja me pakicë.

“Të dhënat e fundit tregojnë se brenda tetë javësh ne kemi kapërcyer pesë vjet përpara në adoptimin digjital të konsumatorit dhe biznesit”, deklaroi firma globale e këshillimit, McKinsey.

Derisa njerëzit në shumë vende po e gjejnë veten papritmas në një të ardhme të re, pandemia gjithashtu po përshpejton trendet negative të teknologjisë, nga përhapja e informacionit të rremë në internet te robotizimi. Në të gjithë botën robotizimi mund të lë shumë njerëz të papunë apo në kërkim të punës, duke nxitur një nevojë të shpejtë për zgjidhje.

Këto janë pesë trendet që duhet t’iu kushtoni vëmendje gjatë vitit 2021.

Përhapja e infodemisë

Kur kompanitë Pfizer – BioNTech zbuluan vaksinën e tyre kundër COVID-19 në muajin nëntor të vitit 2020, politikanët në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara nxituan për të marrin meritat.

Megjithatë, çuditërisht për një numër të madh të njerëzve në ato vende, një emocion tjetër doli përpara: paranoja.

Dyshimet mbi vaksinat nuk janë të reja. Por, zhvillimet e fundit kanë nxjerr në pah faktin se si pandemia ka qenë një rrugë e ndritshme për përhapjen e keqinformimit dhe dezinformimit në internet, duke filluar nga të dhënat e pretenduara si shkencore në lidhje me COVID-19, deri te teoritë e komplotit mbi origjinën e saj dhe efikasitetin e një vaksine për ta trajtuar atë.

Një sondazh i fundit i Gallup erdhi në përfundimin se 58 për qind e amerikanëve do të merrnin një vaksinë, krahasuar me një në tre persona në Francë. Në Rusi, përhapja e përmbajtjes anti-vaksinë në internet ka qenë e shfrenuar ndërsa autoritetet filluan të administrojnë vaksinën e tyre Sputnik-V, madje edhe para se të përfundojë testimi i Fazës së Tretë.

Por, sipas një sondazhi nga qendra e pavarur ruse, Levada Centre, në nëntor, 61 për qind e rusëve thanë se nuk u besojnë të dhënave zyrtare për koronavirusin dhe 59 për qind deklaruan se nuk planifikojnë ta marrin vaksinën.

“Në lidhje me pandeminë dhe zgjedhjet në SHBA, platformat online kanë përdorur për herë të parë mjetet në dispozicion për të etiketuar siç duhet informacionin dhe për të shtuar më shumë njohuri për përdoruesit”, i tha Radios Evropa e Lirë, Delphine Halgand-Mishra, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Sinjaleve dhe raportuese kryesor për një raport të fundit për infodeminë të publikuar nga Forumi për Informim dhe Demokraci.

“Unë nuk mendoj se ata mund të lëvizin prapa tani”, tha ajo.

Përhapja e keqinformimit dhe dezinformimit në mediat sociale dhe platformat online është bërë më e dukshme në vitet e fundit. Gënjeshtrat përhapen më shpejt se e vërteta në internet dhe luajnë një rol në zgjedhjet dhe formësojnë diskursin në lidhje me çështjet kryesore.

Kjo ka bërë që të ketë një thirrje gjithnjë e më të zëshme në drejtim të platformave të teknologjisë që të kontrollojnë përmbajtjen dhe që qeveritë të rregullojnë kompanitë e mediave sociale ku zhvillohet pjesa më e madhe e diskursit në internet.

Disa rregullatorë federalë amerikanë, 48 shtete dhe disa qarqe kanë ngritur dy padi të ndryshme kundër monopolit që mund ta ndajnë kompaninë Facebook.

Të dy paditë, të ngritura nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) dhe një koalicion i prokurorëve të përgjithshëm të udhëhequr nga shteti i Nju Jorkut, akuzojnë gjigantin e rrjeteve sociale për sjellje anti-konkurruese dhe monopol.

Komisioni Evropian shpalli një Ligj të shërbimit digjital në dhjetor të vitit të kaluar, që shënjestron kompanitë e mëdha të teknologjisë. Përmes tij synohet rregullimi dhe të krijimi i rregullave në lidhje me përmbajtjen në internet.

“2021 do të jetë viti ku ne do të fillojmë të shohim rregullime serioze në platformat në të dy anët e Atlantikut”, tha Halgand-Mishra.

E-Sportet vazhdojnë rritjen

Video-lojërat që tani luhen shpesh, ndoshta nga një e katërta e popullsisë së botës, nuk janë më vetëm si argëtim. Ato janë bërë më shoqërore, më konkurruese dhe padyshim, krijojnë varësi më shumë se kurrë më parë, duke u bërë fenomen kulturor dhe duke ushqyer një industri fitimprurëse.

Sipas parashikimeve, deri më 2023 tregu i e-sporteve mund të kalojë 1.5 miliard dollarë. Drejtuesit e industrisë shpresojnë të përfshijnë më shumë njerëz për t’i parë ato, për të blerë pajisje dhe kështu të sigurojnë një rritje më të shpejtë të kësaj industrie, të cilën edhe pandemia e ka ndihmuar mjaft në rritje.

Në pranverë, kur u zbatuan izolimet për shkak të pandemisë, në platformën e njohur të lojërave kompjuterike, Steam u shënua numër rekord i lojëtarëve të kyçur në të njëjtën kohë, 25 milionë. Kjo ndodhi në fund të muajit mars të vitit 2020.

Çmimet e aksioneve të Nintendos u rritën me 45 për qind dhe Twich, një shërbim tjetër i popullarizuar i lojërave, rriti trafikun për 50 për qind nga muaji mars në prill të vitit të kaluar.

Sipas kompanisë ndërkombëtare Deloitte, një e treta e konsumatorëve amerikanë “u regjistruan në një shërbim të video-lojërave, përdorën një shërbim të lojërave online, ose panë e-sports ose një ngjarje sportive virtuale”, për herë të parë gjatë pandemisë.

Të udhëhequr nga shtyllat kryesore si Fortnite dhe League Of Legends, sportet elektronike kanë rritur shikueshmërinë dhe kanë sjellë më shumë investime. Me 12 liga profesionale që shtrihen në të gjitha rajonet e globit përveç Afrikës, 120 skuadra të privilegjuara dhe më shumë se 1.000 lojtarë profesionistë, në vitet që vijnë industria duket se do të vazhdojë të rritet dhe të rivalizojë sportet tradicionale.

Efekti i 5G

Çdo përparim i njëpasnjëshëm në lidhjen dhe shpejtësinë e internetit ka sjellë me vete një valë inovacioni që ka hapur mundësi të reja për teknologjinë dhe biznesin.

Rrjeti 3G bëri që shfletimi i internetit dhe shërbimet e të dhënave të ishin të përdorshme në pajisjet mobile, ndërsa 4G çoi në rritjen e platformave të transmetimit të videos dhe muzikës. 5G do të hapë edhe më shumë dyer.

Pas gati një dekade zhvillimi, rrjetet 5G janë gjëja tjetër e madhe në internetin e telefonave celular që ofron një shpejtësi transmetimi të paparë.

Këto rrjete me shpejtësi të lartë, nga ana tjetër, bëjnë të mundur një mori të tërë trendesh të tjera të përparuara të teknologjisë, nga aplikacionet komplekse të makinërisë deri tek automatizimi i shtuar dhe realiteti virtual që mund të ndikojë në pothuajse çdo industri të madhe dhe të jetë një themel për ekonominë e ardhshme digjitale, miliarda dollarëshe, nga e-mjekësia deri të Interneti i Gjërave.

Interneti i Gjërave quhet rrjeti i objekteve fizike të cilat kanë sensorë, programe kompjuterike dhe teknologji të tjera me qëllim të lidhjes dhe shkëmbimit të të dhënave me pajisje dhe sisteme të tjera përmes internetit.

“5G paraqet mundësitë emocionuese që sapo kanë filluar të marrin formë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Elsa Kania, nga Qendra e Programit të Ri të sigurimit amerikan të teknologjisë dhe sigurisë kombëtare.

“Në veçanti, siç kemi parë gjatë pandemisë, lidhja me internet është absolutisht themelore për cilësinë e jetës”, tha ajo.

Gjiganti kinez i teknologjisë Huawei është udhëheqës aktual në zhvillimin dhe vendosjen e 5G në të gjithë botën.

Derisa tensionet midis Pekinit dhe Uashingtonit janë rritur, zyrtarët amerikanë kanë udhëhequr një fushatë globale kundër përfshirjes së Huawei-t, e cila është futur në listën e zezë nga Uashingtoni për pretendimin se paraqet një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare pasi përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar Shtetet e Bashkuara te Qeveria kineze.

Politika për 5G mbase do të vazhdojë në vitin 2021, por me kompaninë suedeze të telekomunikacionit Ericsson dhe Nokia të Finlandës si alternativat kryesore të Huawei-t, ekspertët po bëjnë thirrje për një përqendrim më të madh në alternativat konkurruese ndaj kompanisë kineze.

“Shpresojmë se njohja dhe konsensusi për rëndësinë e lidhjes së gjeneratës së ardhshme të internetit do të nxisin ndarjen e më shumë fondeve për të ndihmuar përparimin e hulumtimeve, zhvillimit dhe investimeve të qëndrueshme në infrastrukturën digjitale amerikane”, tha Kania.

Puna – gjithnjë e më shumë në distancë

Puna në distancë në botë tashmë ishte duke u bërë e zakonshme për forcën punëtore gjithnjë e më të digjitalizuar, por pandemia e ka përshpejtuar këtë proces.

Kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë kanë mbyllur zyrat në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut, dhe video-konferencat janë bërë normë. Gartner, një kompani konsulence e Teknologjisë Informative, vlerëson se 40 për qind e organizatave do të punojnë në distancë deri në fund të vitit 2023, një trend, të cilin kjo kompani, pret se do të mbetet në zbatim shumë kohë pasi të ketë mbaruar pandemia derisa kompanitë mirëpresin kostot më të ulëta nga puna online.

Përmes modelit të punës në distancë dhe në formë digjitale për shumë profesione, shumë vende të varura nga turizmi që janë goditur nga udhëtimet e kufizuara për shkak të COVID-19 kanë bërë përpjekje të tërheqin personat e ashtuquajtur “nomadë digjitalë”. Kështu quhen ata persona me një mënyrë jetese të pavarur që i lejon ata të udhëtojnë dhe të punojnë në distancë.

Vende si Estonia, Gjeorgjia, Barbados dhe Bahamas kanë udhëhequr përpjekjet në këtë drejtim duke ofruar stimuj të ndryshëm – nga taksat e ulëta deri te strehimi me kosto të përballueshme – për të joshur në punëtorët digjitalë.

Hapësira u bë kapitaliste

Viti 2020 ishte një vit i kurorëzimit për fluturimet private në hapësirë pasi SpaceX arriti momentin kryesor të lëshimit të njerëzve në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS) në muajin maj.

Por, misioni inaugurues është një paralajmërues i gjërave që do të vijnë, me një valë fluturimesh hapësinore të operuara privatisht më 2021. E gjithë kjo po ndodh derisa kompanitë garojnë për të bërë më të lehtë dhe më të përballueshëm udhëtimet në hapësirë.

Kompanitë tregtare janë përfshirë në fluturimet hapësinore që nga fillimi i udhëtimeve në hapësirë, por ato kurrë nuk kanë luajtur një rol kaq të madh.

SpaceX, e cila krijoi një model të ri duke zhvilluar raketa të ripërdorshme, është më e njohura, por një pjesë e kompanive në pronësi të disa prej njerëzve më të pasur në botë janë gjithashtu të përfshirë në këtë biznes. Përveç SpaceX të Elon Musk edhe Blue Origin e Jeff Bezos dhe Virgin Galactic e Richard Branson po punojnë gjithashtu me agjenci hapësinore dhe po synojnë të fillojnë udhëtime turistike në hapësirë dhe potencialisht edhe në Hënë në vitet e ardhshme. Boeing aktualisht po zhvillon anijen e saj Starliner dhe shpreson të fillojë bartjen e astronautëve në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar më 2021.

Tani, më shumë se 12 vende kanë zhvilluar aftësinë për të lëshuar raketa në orbitën e Tokës dhe kanë ambicie më të gjera për hapësirën, duke siguruar një bazë të klientëve në rritje për kompanitë private që mund të ofrojnë një udhëtim komercial.

“Do të bëhen gjithnjë e më shumë partneritete”, tha për Radion Evropa e Lirë, Joshua Colwell, profesor i fizikës dhe ndihmës drejtor i Institutit Hapësinor të Florida-s.

“Ende janë kryesisht qeveritë ato që dërgojnë gjëra në hapësirë, por këto kompani do të gjejnë klientë nga qeveri të ndryshme dhe sektori privat për fluturimet e tyre”, tha ai.

Derisa zgjerimi i fluturimit hapësinor hap mundësi të reja, ky zhvillim gjithashtu vjen me rreziqe të reja pasi më shumë vende dhe kompani do të përfshihen në lëshimin e satelitëve, transportimin e astronautëve, kryerjen e fluturimeve turistike dhe kryerjen e misioneve kërkimore.

“Nëse keni një sasi të madhe lojtarësh të rinj nga qeveritë dhe sektori privat, atëherë cilat janë pasojat e padëshiruara nga kjo?”, pyeti Colwell.

“Unë nuk e di nëse të gjitha këto gjëra janë menduar plotësisht dhe me të vërtetë nuk ka shumë mekanizma ndërkombëtarë për t’i rregulluar ato”, tha ai./REL

Leave a Reply