Trump akuzohet për përçarje të amerikanëve

Ish-sekretari i Mbrojtjes në SHBA James Mattis akuzon presidentin amerikan Donald Trump se po përpiqet të përçajë amerikanët. Ky është reagimi i parë i Mattis lidhur me veprimet e Trump në një kohë që SHBA janë përfshirë nga protestat e dhunshme pas vdekjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Flloid nga një oficer policie.  

JAMES MATTIS
ISH-SEKRETAR I MBROJTJES, SHBA

“Donald Trump është presidenti i parë në jetën time, i cili nuk përpiqet të bashkojë popullin Amerikan, madje as nuk pretendon ta provojë. Në vend të kësaj, ai përpiqet të na ndajë. Demonstruesit janë dhjetëra mijëra njerëz me parime, që këmbëngulin që të mbrojmë vlerat tona. Ne duhet t’i kundërshtojmë ata që janë në pushtet që tallen me Kushtetutën tonë”

Në një deklaratë të botuar në “The Atlantic”, Mattis, shkruan më tej se “nuk ka parë asnjëherë që trupat ushtarake të urdhëroheshin të shkelnin të drejtat kushtetuese të bashkëqytetarëve”.


Ndërsa për shfaqjen e Trump në sheshin Lafayette ku doli para mediave me një bibël në dorë para kishës së dëmtuar nga protestuesit, Mattis e cilëson këtë  veprim si abuzim te autoritetit ekzekutiv.

Por deklarata e Mattis shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Trump, i cili me anë të një postimi në Twitter shkruan se ndihet i gëzuar që ish Sekretari i Mbrotjes, nuk është më në postin e tij. Shtëpia e Bardhë madje tha se Trump “ka autoritetin e vetëm për të vënë në veprim Ligjin e Rebelimit” dhe “nëse është e nevojshme, ai do ta përdorë atë”.

Protestat për vdekjen e Xhorxh Flloid kanë nxitur dhe reagimin e ish presidentit Barack Obama, njëherësh dhe president i parë me ngjyrë në historinë amerikane. Ai u ka bërë thirrje çdo kryebashkiaku amerikan të reformojë politikat e përdorimit të forcës nga ana e ana e policisë.


Protestat në SHBA të nxitur nga zemërimi për brutalitetin e policisë ndaj njerëzve me ngjyrë nisën që javën e kaluar. Xhorxh Flloid i cili u asfiksua pwr vdekje nga një polic i bardhë, pas autopsisë ka rezultuar edhe pozitiv ndaj koronavirusit.

Ndërsa nën akuzë ndodhen edhe 3 oficerët e tjerë të pranishëm në vendgjarje. 

Leave a Reply