“Trump fshehu Covid”

Gazetari publikon intervistat e presidentit ku pranonte rrezikun

Teksa gjithmonë ka akuzuar Kinën se ka fshehur përhapjen e pandemisë duke shkaktuar dëme si në njerëz dhe në ekonomi, libri i gazetarit investigativ Bob Woodward provon se ka qenë vetë presidenti amerikan Donald Trump që ka fshehur një gjë të tillë.

Në librin të titulluar “Rage” që do të thotë inat, tregohet se kur pandemia e Covid-19 filloi të përhapej në fillim të muajt Mars, Presidenti amerikan ka pranuar në një intervistë për Washington Post  se e dinte që koronavirusi ishte i rrezikshëm, qëkur u regjistrua edhe vdekja e parë në SHBA.

Gazetari Bob Woodward, në disa intervista të herë pas hershme me kreun e Shtëpisë së Bardhë ka zbuluar edhe një nga bisedat audio të zhvilluar me Trump në 7 Shkurt, ku presidenti shprehet se virusi Covid-19 është pesë herë më vdekjeprurës se gripi.

Por ky rrëfim që Trump ka bërë për gazetarin, bie në kontrast me komentet e tij të shpeshta publike në atë kohë ku këmbëngulte se virusi do të zhdukej edhe pa vaksinë.

Së fundmi në një konferencë për shtyp Trump ka bërë të ditur se këtë gjë e ka bërë për të mbrojtur popullin amerikan.

“Nuk dua që njerëzit të tremben. Nuk dua të krijoj panik dhe sigurisht që unë nuk do ta çoj këtë vend  për dreq. Ne duam të tregojmë besim, duam të tregojmë forcë si komb. Dhe kjo është ajo që unë kam bërë, kemi vepruar shumë mirë, sipas të gjitha standardeve”, tha Trump.

Libri i gazetarit Woodward tregon të gjitha gabimet e administratës Trump duke filluar që nga mënyra sesi pandemia e Covid-19 u menaxhua nga autoritetet si dhe shumë gabime që ka bërë gjatë katër viteve si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Jo vetëm kaq, por tregohet edhe sesi Trump është përpjekur që të ndalë shumë herë shefin e sëmundjeve infektive Anthony Fauci që të raportojë për Covid-19 dhe shkallën e rrezikshmërisë që ky lloj virusi ka.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të renditen në vend të parë për vdekjet dhe infektimet. Së fundmi, ekspertët e shëndetësisë kanë bërë të ditur se në bazë të parashikimeve 410 mijë amerikanë mund të vdesin deri në fillim të vitit 2021.

Libri del në treg para se të bëhen zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, një garë mes presidentit Trump dhe rivalit demokrat, Joe Biden.

Leave a Reply