Trump Jr. flet për takimet me rusët

 

Donald Trump Jr. i tha komisionit juridik të Senatit se nuk i mbante mend detajet e përgjigjes publike të Shtëpisë së Bardhë lidhur me bisedën e tij të vitit 2016 me një avokate ruse dhe shtoi se nuk dinte ndonjë gjë të madhe mbi takimin në Air Force One, që supozohet të ketë çuar drejt asaj deklarate.

Djalit të madh të Presidentit amerikan iu kërkua të shpjegonte saktësisht nëse e kishte çuar ndonjërin prej pjesëmarrësve në takimin me juristen qershorin e një viti më parë në kullën “Trump” për të biseduar me të atin, apo nëse ky i fundit ishte në dijeni të lëvizjeve të të birit.

39-vjeçari i mohoi të dyja. Po atëherë, ishte pyetja e komisionit, si ka mundësi që ditën tjetër, Trump premtoi se pisllëqe të Hilari Klintonit do të dilnin shumë shpejt në dritë? Epo, ashtu flet ai, qe përgjigja e Trump Junior.

Përballja me komisionin zgjati për më shumë se pesë orë, e megjithatë, një pjesë të anëtarëve, kjo dëshmi nuk ia fashiti shqetësimet. Avokatja e Kremlinit mendohet se do të dorëzonte “informacione dëmtuese për fushatën e kandidates demokrate. Trump Jr. u justifikua duke thënë se mori pjesë në takim me shpresën që juristja mund të kishte “informacione në lidhje me cilësitë e zonjës Clinton për t’iu përshtatur pozicionit, karakterit apo kualifikimeve të saj”.

Por, Natalia Veselnitskaya, sipas tij, nuk tha asgjë të re. Seanca në Komisionin Juridik të Senatit u zhvillua me dyer të mbyllura, megjithatë ka shumë gjasë që Trump Jr. dhe ish udhëheqësi i fushatës së zotit Trump, Paul Manafort të mund të merren në pyetje nga senatorët edhe në një seancë publike.

/ Top Channel

Leave a Reply