Turqi/ Mes tyre tre shqiptarë të Kosovës, shkon në 51 numri i të vdekurve nga tërmeti

Numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi rajonin e Egjeut të Turqisë u rrit në 51, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) e vendit, transmeton AA.

Mes viktimave janë edhe tre shqiptarë të Kosovës. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga ambasadori i Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli. Personat që kanë humbur jetën janë përkatësisht; Nazmije Dograjan, 64-vjeçe, Hatixhe Dogruja, 70-vjeçe dhe burri i saj Bajram Dogruja, 73-vjeç. Shqiptarët nga Kosova, të larguar nga Prishtina që në 1956 dhe të vendosur në Izmir nuk mundën që të mbijetojnë nga tërmeti tragjik, pasi rrënojat i zunë poshtë nga shembjet e godinave.

“Nga komunikimet e vazhdueshme, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është informuar se tre persona me origjinë nga Kosova nga familja Doğrayan në Izmir kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit. Mund të konfirmojmë se deri më tani nuk ka të dhëna për shtetas të Republikës së Kosovës të vdekur. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes Doğrayan dhe të gjithë familjeve dhe të afërmve tjerë të prekur nga kjo tragjedi, dhe iu urojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve”, thuhet në postimin e ambasadës.

Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD)  tha që deri në këto kohë, ka pasur 850 pas-tronditje, prej të cilave 40 më të forta se 4 ballë. Aktivitetet e kërkimit dhe shpëtimit po vazhdojnë në provincën bregdetare të Izmirit. Të paktën 896 njerëz janë lënduar nga tërmeti me magnitudë 6,6 që të premten tronditi Izmirin.

Leave a Reply