Turqia: Dënimet për vrasjen e Khashoggi-t nuk ofrojnë drejtësi

Autoritetet turke thanë të hënën se vendimi i Arabisë Saudite për t’i dënuar me vdekje pesë persona dhe tre të tjerë me burgim për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi janë larg ofrimit të drejtësisë, duke e përsëritur thirrjen për bashkëpunim të organeve të drejtësisë të të dyja vendeve për këtë rast.

Një gjykatë në Arabinë Saudite sot e mori vendimin për dënimin e tetë personave në lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll vitin e kaluar.

“Vendimi i marrë sot është larg përmbushjes së pritjeve të vendit tonë dhe komunitetit ndërkombëtar që kjo vrasje të zbardhet në të gjitha aspektet dhe që të ofrohet drejtësia”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hami Aksoy.

Jamal Khashoggi ishte gazetar i gazetës amerikane “The Washington Post”. Ai u vra më 2 tetor të vitit të kaluar, ndërsa në këtë rast dyshohet të ketë gisht qeveria mbretërore e Arabisë Saudite.

Ndonëse zyrtarët sauditë i kanë mohuar akuzat për përfshirjen e familjes mbretërore në rastin e vrasjes së gazetarit, autoritetet turke kanë gjetur dëshmi se urdhri për vrasjen e Khashoggi-t është dhënë nga princi Mohammed bin Salman, shkruan “Reuters”.

Leave a Reply