Uashington, Kosova dhe Serbia firmosin marrëveshje

Bisedimet mes delegacionit kosovar dhe atij serb pritet të finalizohen me nënshkrimin e një marrëveshjeje në prani të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Por marrëveshja e paralajmëruar si “ekonomike” që në Shtëpinë e Bardhë do të nënshkruhet rreth orës 17:00, ka shkaktuar tensione brenda delegacionit kosovar. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është kundër marrëveshjes së dakorduar gjatë bisedimeve të një ditë më parë dhe po i bën presion kryeministrit, Avdullah Hoti të mos e nënshkruajë, madje edhe përskaj kërcënimeve të amerikanëve se kushdo që kundërshton marrëveshjen do ta ketë përballë SHBA-në. Haradinaj sqaroi për Radion Evropa e Lirë se për të është e papranueshme marrëveshja pasi përmban çështjen e Liqenit të Ujmanit.

Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit- deklaroi Ramush Haradinaj, AAK “.

Pas bisedimeve të djeshme, i dërguari i Presidentit Trump, Riçard Grenell është shprehur se dita ka qenë produktive dhe se është optimist për atë që do të ndodhë, se është bërë progres por mbetet akoma për t’u bërë. Grenell sqaroi se qasja ndaj dialogut ka ndryshuar me kërkesë të Trumpit, ashtu që në fokus ka qenë ekonomia dhe krijimi i vendeve të reja të punës, në mënyrë që të krijohet dinamikë e re dhe pastaj të shihet nëse mund të ndryshohen kalkulimet politike të të dyja palëve. Mbrëmë dy krerët e vendeve thanë se kanë mbrojtur linjat e tyre të kuqe. Kryeministri i Kosovës, Hoti tha se njohja e pavarësisë është qëllimi përfundimtar i Prishtinës, por se e rëndësishme është që në tavolinë nuk është shtruar çështja e demarkacionit. E nga ana tjetër, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili para mediave u paraqit “i lodhur” tha se me kërkesë të tyre njohja e pavarësisë së Kosovës u hoq nga tavolina e bisedimeve.

“Një gjë mund të ju them se marrëveshje të dëmshme për Kosovën asnjëherë nuk kanë ardhur dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë. Për çdo gjë që flasim me Serbinë qëllimi jonë është njohja reciproke. Sot kemi bërë një hap të madh në drejtim të përafrimit të qëndrimeve. (Ndarja e Kosovës?) As nuk është shtruar e as nuk do të shtrohet asnjëherë në tavolinë- pohoi Avdullah Hoti, Kryeministër i Kosovës.

Mendoj se kishte 15 apo 16 pika, mos më kapni për fjale, ku njëra nga pikat ka qenë të bisedohet për njohjen e ndërsjellë, gjë që nuk bën pjesë në këtë sferë. Thamë se kjo pikë nuk duhet të jetë pjesë e dokumentit për normalizim ekonomik. Thash se një gjë të tillë nuk mund ta pranojmë. Më duhet të jem i sinqertë, njerëzit e kabinetit u treguan fer, dëgjuan atë që kishim për të thënë dhe kjo pikë më nuk ishte në dokumentet tjera- tha Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Ndërkohë Kryetarja e Kuvendit të Kosovës,Vjosa Osmani ka thënë se çdo marrëveshje me Serbinë duhet të kalojë në institucionin që drejton dhe se para se të arrihet marrëveshja përfundimtare është e domosdoshme që Kuvendit ti dorëzohet platforma e bisedimeve, për të cilën mandej duhet konsensus i gjerë.

Leave a Reply