Udhëheqësja e opozitës bjelloruse nis formimin e kabinetit në hije: Lukashenko, i paaftë

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, nisi të mërkurën krijimin e kabinetit në hije.

Tsikhanouskaya ka garuar për presidente të Bjellorusisë në zgjedhjet e 9 gushtit.

Por, mbështetësit e saj thonë se zgjedhjet janë manipuluar nga Alyaksander Lukashenko, për t’i siguruar atij mandatin e gjashtë presidencial.

Qysh pas zgjedhjeve vazhdojnë edhe protestat në Bjellorusi, që bëjnë thirrje për dorëheqjen e Lukashenkos.

Protestat janë shtypur brutalisht nga policia me rrahje dhe arrestime masive.

Ndihmësit e Tsikhanouskayas njoftuan të mërkurën në një kanal të opozitës në aplikacionin Telegram, se avokati për të drejtat e njeriut, Hary Pahanyayla – i cili ka mbrojtur shumë aktivistë dhe gazetarë në Bjellorusi – do të jetë përfaqësues i Tsikhanouskayas për çështje të të drejtave të njeriut, ndërsa eksperti i ekonomisë, Ales Alyakhnovich, është emëruar përfaqësues për reformat ekonomike.

Deklarata po ashtu citon Tsikhanouskayan të ketë thënë se “regjimi i Alyaksander Lukashenkos nuk është thjesht i paligjshëm, por gjithashtu i paaftë për të kryer detyrat e tij”.

“Ne nuk mund të qëndrojmë më pasivë dhe të shikojmë se si vendi po zhytet më tej në krizë”, tha Tsikhanouskaya, një ditë pasi zhvilloi bisedime me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Vilnius.

Tsikhanouskaya ka ikur atje shumë shpejt pas zgjedhjeve të 9 gushtit, pasi ka pasur raporte se regjimi planifikon arrestimin e saj.

Lukashenko – në pushtet qysh në vitin 1994 – mohon se i ka manipuluar zgjedhjet dhe është betuar fshehurazi më 23 shtator.

Vendet perëndimore refuzojnë ta njohin Lukashenkon si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe i kërkojnë atij ta transferojë pushtetin në mënyrë paqësore.

Udhëheqësit e opozitës, përfshirë Tsikhanouskayan, kanë formuar Këshillin Koordinues për të lehtësuar transferimin e pushtetit./REL/

Leave a Reply