Vaksina anti-COVID e Putinit nuk bind OBSH-në

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) i bëri thirrje Rusisë që të ndjekë udhëzimet ndërkombëtare në prodhimin e vaksinës kundër infeksionit COVID-19, raporton BBC.

Kjo erdhi pasi Rusia tha se do të fillojë vaksinimin e popullatës kundër koronavirusit në vjeshtë.

“Ndonjëherë studiuesit individualë pretendojnë se kanë gjetur diçka, që natyrisht është një lajm i jashtëzakonshëm,” u tha zëdhënësi i OBSH-së Christian Lindmeier gazetarëve.

“Por ekziston një ndryshim i madh midis gjetjes ose indikacioneve se një vaksinë po funksionon dhe një vaksinë që ka kaluar të gjitha fazat,” shtoi ai.

Vaksina ruse nuk është në listën e OBSH-së me gjashtë vaksina që kanë arritur në fazën e tretë të provave klinike.

Reagimi i OBSH-së erdhi pasi Presidenti Putin njoftoi se Ministria e Shëndetit e vendit të tij ka aprovuar vaksinën e parë në botë kundër koronavirusit, duke shtuar se vajza e tij tashmë e ka marrë atë.

Ministri i Shëndetësisë Mihail Murashko tha se mjekët dhe profesorët do të ishin të parët që do të marrin vaksinën, e ndjekur nga pjesa tjetër graduale e popullatës.

Ai shtoi se prova klinike ka përfunduar, dhe më shumë vaksinime masive janë planifikuar për tetor.

Deri më tani, Rusia nuk ka dhënë të dhëna shkencore mbi këtë vaksinë për vlerësim të pavarur.

Vaksina, e zhvilluar nga Instituti Gamaleya i Moskës, mori një dritë jeshile nga Ministria e Shëndetësisë e Rusisë të martën, zbuloi Putin. Ai tha se shpresonte që Rusia së shpejti të fillojë prodhimin në masë të vaksinës COVID-19, shkruan RT.

Ai tha se vajza e tij tashmë ishte vaksinuar, duke theksuar se kishte një ethe të butë, që më pas i iku shpejt.

“Një nga vajzat e mia mori vaksinën. Në këtë kuptim, ajo mori pjesë në eksperiment. Pas vaksinimit të parë, ajo kishte një temperaturë prej 38, ditën tjetër – 37, dhe kjo ishte gjithçka”, tha Putin.

Zëvendëskryeministrja ruse Tatiana Golikova theksoi se vaksina do të aplikohet për punonjësit e shëndetit nga shtatori. Ajo do të jetë i disponueshëm për publikun e gjerë në baza vullnetare duke filluar nga janari.

Vetë Putin njoftoi se shkencëtarët rusë kanë kaluar fazat e nevojshme të testimit dhe kanë vërtetuar sigurinë dhe efektivitetin dhe se ajo jep shpresë jo vetëm për Rusinë, por edhe për të gjithë botën për një “të ardhme pa COVID-19”.

Leave a Reply