Vazhdojnë protestat kundër Lukashenkos

Qytetarët në Bjellorusi marshuan në rrugët e Minskut më 20 dhjetor, duke i bërë thirrje Aleaksandër Lukashenkos që të largohet nga pushteti.

Që prej gushtit, kur Lukashenka shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale, opozita dhe mbështetësit e saj kanë protestuar duke kërkuar largimin e tij nga pushteti.

Policia ka përdorur dhunë ndaj protestuesve dhe deri më tani mbi 27,000 persona janë arrestuar, kanë thënë Kombet e Bashkuara. Po ashtu ka pasur raporte mjaft të besueshme se ndaj protestuesve është ushtruar torturë dhe keqtrajtim dhe madje disa persona kanë vdekur.

Shumë liderë të opozitës në Bjellorusi janë arrestuar ose janë detyruar që të largohen nga vendi, teksa Lukashenka, që ka udhëhequr shtetin për pothuajse tri dekada, ka refuzuar që të negociojë me opozitën.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe disa shtete të tjera kanë refuzuar që ta pranojnë Lukashenkën si fitues të zgjedhjeve presidenciale dhe kanë vendosur sanksione ndaj tij dhe aleatëve të tij, duke u thirrur në manipulime zgjedhore dhe forcën e përdorur nga policia ndaj protestuesve.

Megjithatë, numri i pjesëmarrësve në protestat në Minsk dhe qytete të tjera ka rënë për shkak të lodhjes, represionit dhe motit të ftohtë. Organizatorët e protestave po ashtu kanë ndryshuar taktikat, ku po bëjnë thirrje për tubime më të vogla, me qëllim që të shmangen arrestimet.

Më 20 dhjetor, marshe të vogla u mbajtën në një sërë qarqesh të Minskut, raportoi Shërbimi Bjellorus i Radios Evropa e Lirë.

Ndërkaq, më 19 dhjetor, marshe të vogla dhe tubime të tjera u raportuan se u mbajtën në Minsk dhe qytete të tjera, përfshirë edhe në qytetin perëndimor të Hrodnas.

Deri më tani nuk ka raportime se policia ka arrestuar ndonjë protestues.

Leave a Reply