Vdekja e Floyd, protestat e dhunshme dalin jashtë SHBA

46-vjeçari ka qenë pozitiv me koronavirus

Protestat e dhunshme anti-raciste që marrin shkas nga vrasja e afro-amerikanit George Floyd kanë mbërritur deri në Athinë.

Nën moton “Jeta e zezakëve ka rëndësi” rreth 3 mijë manifestues majtistë u përleshën me policinë në qendër të kryeqytetit grek. Forcat e rendit përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Dhunë pati edhe në protestat e Londrës, por gjatë grumbullimit përpara parlamentit, një polic u gjunjëzua para protestuesve në mbështetje të lëvizjes anti-raciste.

Protestat janë shtrirë anekënd globit. 46-vjeçari afro-amerikan rezulton të ketë qenë i infektuar me Covid-19, por asimptomatik. Kështu rezulton nga analizat e kryera në trupin e kufomës dhe kjo sipas ekspertëve shpjegon se virusi mund të ketë ndikuar në vdekjen e tij.

Kundër presidentit Trump për urdhrat e ashpër që po jep për shuarjen e protestave ka dalë edhe ish-Sekretari i Mbrojtjes i shkarkuar prej tij James Mattis.

Ai akuzon Trumpin për abuzim me pushtetin. Ndërsa shefi i Shtëpisë së Bardhë u kundërpërgjigj duke thënë se Mattis është gjeneral i mbivlerësuar, të cilin veç tij e ka shkarkuar nga postet edhe pararendësi demokrat Barack Obama.

Leave a Reply