Vendos gjykata: Trump s’mund t’i bllokojë kritikët në Twitter

Një gjykatë amerikane federale e apelit vendosi që Presidenti Donald Trump nuk mund të heshtë kritikët në llogarinë e tij të Twitter-it, duke thënë se bllokimi i tyre shkel të drejtën kushtetuese të lirisë sër fjalës.

Gjykata e Dytë e Apelit në Manhattan vendosi me një vendim 3-0 të martën, se Amendamenti i Parë i Kushtetutës e ndalon Trump-in të bllokojë kritikët nga llogaria e tij që është një platformë publike.

Në emër të panelit prej tre gjyqtarëve, gjykatësi Barrington Parker shkruan “Amendamenti i Parë nuk lejon një zyrtar publik që shfrytëzon një llogari të mediave sociale për të gjitha llojet e qëllimeve zyrtare, të përjashtojë persona nga një dialog i hapur në internet, për shkak se ata shprehin pikëpamje me të cilat zyrtari nuk pajtohet “.

Presidenti Trump e ka përdorur llogarinë e tij të Twitter-it, që ka më shumë se 60 milionë ndjekës, për të promovuar axhendën e tij dhe për të sulmuar kritikët.

Gjykata vendosi për një padi të paraqitur nga Instituti i Kalorësve të Amendamentit të Parë të Universitetit Columbia në emër të shtatë personave të cilët u bllokuan nga presidenti Trump pasi kritikuan politikat e tij.

Vendimi mbajti në fuqi një vendim të majit 2018 nga Gjykata për Qarkun Jugor të Nju Jorkut. Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se vendimi ishte “krejtësisht i keqkuptuar”, duke argumentuar se presidenti Trump e përdor llogarinë e tij në Twitter në kapacitetin e një individi privat për të shprehur pikëpamjet e tij dhe jo si një forum për diskutime publike.

Administrata Trump nuk ka komentuar menjëherë për vendimin, ashtu sikurse edhe kompania Twitter, apo paditësit.

Leave a Reply