Viti 2019, vit i dështimit në diplomaci

Institucionet e Kosovës gjatë vitit 2019 kanë dështuar të sigurojnë njohje të reja ndërkombëtare. Në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme figurojnë 116 vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ani pse gjatë vitit shteti armik i Kosovës, Serbia, ka thënë se disa e kanë tërhequr njohjen për Kosovën por që një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga MPJ.

Por ajo që dihet me siguri është fushata e egër e Serbisë për të dëmtuar Kosovën në politikën e jashtme. Ndërkohë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë për KosovaPress se institucionet e Kosovës kanë dështuar në diplomacinë e jashtme.

Në tre vitet e fundit Kosova është përballur me fushatë të egër diplomatike dhe kriminale të Serbisë e cila ka kryer krime në gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë me mbështetjen e Rusisë, të cilat janë përpjekur të pengojnë integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se gjatë vitit 2019 Kosova është përballur me fenomenin e tërheqjes së njohjeve, ani pse thotë se në të drejtën ndërkombëtare si praktikë nuk ekziston tërheqja e njohjes në shtetet e konsoliduara.

Ai thotë që Serbia ka vazhduar të përdorë të gjitha metodat jo demokratike për të bindur disa shtete që të bëjnë tërheqjen e njohjes.

Por sipas tij, kjo ka ndodhur me ato shtete që nuk kanë sisteme të konsoliduara.

Ndërsa në aspektin politik dhe atë të bisedimeve me Serbinë, analisti Ramush Tahiri thotë për KosovaPress se që prej bisedimeve me Serbinë në Bruksel, Kosova ka shënuar veç ngecje dhe ka filluar të zvogëlohet numri i njohjeve.

Ai konsideron që Kosova duhet të hartojë një strategji më “agresive”, siç thotë ai në kuptimin pozitiv, për prezantimin e shtetit jashtë, përmes përfaqësimit diplomatik dinjitoz.

KosovaPress nuk ka mundur të marrë edhe deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme për çështjen e njohjeve dhe mundësinë që disa shtete ta kanë tërhequr atë.

Mungesa e njohjeve dhe numri aktual i tyre ndikon edhe në anëtarësimin e shtetit në mekanizma ndërkombëtarë, ku Kosova ka dështuar të jetë pjesë edhe e INTERPOL-it.

Çështja e tërheqjes së njohjeve është fakt politik në gjithë politikën botërore, por për shkak të mungesës së mekanizmave rregullues ligjor dhe institucional, kjo vazhdon të mbetët çështje e diskutueshme, se a mund ose cili shtet mund të tërheq njohjen./KP/

Leave a Reply