Vjosa Osmani infektohet me COVID-19: Mos injoroni rrezikun nga virusi!

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja në detyrë dhe njëherazi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur vet Osmani, përmes një postimi në rrjete social, ku shkruan se pasi kishte pasur kontakt me disa të afërm që ishin infektuar me COVID ka kryer testin dhe rezultuar pozitive me koronavirus.

Osmani ka treguar se do të punojë nga shtëpia në dy javët e ardhshme, po ashtu takimet do t’i mbajë përmes platformave elektronike.

Statusi i plotë:

Të nderuar qytetarë!

Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.

Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.

Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.

Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve!

Leave a Reply