Von der Leyen bën thirrje për unitet ndërmjet Evropës dhe Unionit Afrikan

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen bëri thirrje për më shumë siguri dhe më pak migrim të paligjshëm, gjatë vizitës së saj në Etiopi, shtet ky që është pjesë e Unionit Afrikan.

“Vetëm uniteti do t’i bëjë më të forta kontinentet tona. Unioni Afrikan është partner të cilit unë i besoj”, tha von der Leyen, në vizitën e saj të parë jashtë Evropës, që prej se mori mandatin në krye të Komisionit Evropian.

Ajo tha se po qëndron në Etiopi për të “dëgjuar” për trendet dhe zhvillimet në kontinentin afrikan, si dhe për prioritetet politike dhe ekonomike të shteteve në këtë rajon, raporton Dpa.

Gjatë kësaj vizite, von der Leyen është takuar edhe me komisionerin e Unionit Afrikan Moussa Faki dhe zëvendësin e tij. Ajo gjatë takimit ka thënë se bashkëpunimi me Afrikën është njëra ndër pikat kyçe të politikës së saj të jashtme, duke e përshkruar kontinentin afrikan si “fqinjin tanë më të afërt dhe partnerin tonë natyral”.

Presidentja e Komisionit Evropian gjatë vizitës në kryeqytetin e Etiopisë, Addis Abab, ka biseduar edhe për çështjen e migracionit, ku një pjesë e madhe e migrantëve që vijnë në shtetet e BE-së janë nga Afrika. Ndër strategjitë e reja të Komisionit, sa i përket migracionit është përmirësimi i perspektivës së njerëzve në shtetet e origjinës, përmes investimeve rajonale.

Von der Leyen u takua edhe me kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed, të cilin e njoftoi se shtetit të tij do t’i jepet një grant prej 170 milionë eurosh për të mbështetur ekonominë, për sektorin e shëndetësisë dhe për krijimin e vendeve të punës./REL/

Leave a Reply