Vrasja e gjeneralit/ Johnson, Merkel dhe Macron apel për zbutjen e tensioneve

Kryeministri britanik Boris Johnson dhe homologët e tij francezë dhe gjermanë, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel, këtë të hënë kanë bërë thirrje që të gjitha palët të punojnë me urgjencë për një zbutje të tensioneve në Gjirin Persik.

Tre udhëheqësit evropianë përmes një deklarate të përbashkët kanë dënuar sulmet e fundit kundër forcave të koalicionit në Irak dhe shprehën shqetësim të thellë për rolin “negativ” që Irani ka luajtur në rajon.

Deklarata bën thirrje që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje dhe përgjeshmëri maksimale. Lidërit gjithashtu i bëjnë thirrje Iranit që të frenohet nga veprime të tjera të dhunshme ose nga zhvillimi i armëve, duke i kërkuar të heqë dorë nga masat që nuk përputhen me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

“Një tjetër krizë rrezikon të prishë përpjekjet shumëvjeçare për stabilizimin e Irakut,” thuhet në deklaratë. “Ne gjithashtu riafirmojmë angazhimin tonë për të vazhduar luftën kundër Shteti Islamik, që mbetet një përparësi e lartë”.

Ndërkaq në Teheran, pjesmarrja në funeralin e Kasem Sulejmanit, kreut të gardës revolucionare iraniane të vrarë nga SHBA ishte e madhe. Sipas policisë iraniane, miliona njerëz morën pjesë. Njeriu që do të zëvendësojë Sulejmanin në këtë post deklaroi se Irani do të hakmerret.

Leave a Reply