Yuri Kim sheh dëmet në Durrës: Ju jeni miqtë e Amerikës

Durrësi ishte qyteti i parë që ambasadorja e re e SHBA-ve Yuri Kim vizitoi pas takimeve zyrtare në kryeqytet. Diplomatja zgjodhi një nga qytetet më të prekura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit për t’i shprehur solidaritet qytetarëve.

Në një deklaratë për mediat, Kim deklaroi se nuk e vizitoi Durrësin vetëm për dëmet e shumta që janë shkaktuar, por edhe përpjekjet që po bëhen për rindërtimin e banesave.

“Në vizitën e parë jashtë Tiranës erdha këtu për t’i shprehur solidaritetin tonë popullit të Durrësit pas tërmetit të 26 nëntorit. Miqtë festojnë së bashkuar, por është më e rëndësishme që ata të ndihmojnë njëri-tjetrin kur kanë nevojë. Kam ardhur për të parë jo vetëm dëmet, po dhe përpjekjet që po bëhen për rindërtimin, riparimin e dëmeve. Ju jeni miqtë e Amerikës, ndaj ndihma jonë erdhi menjëherë pas fatkeqësisë natyrore.”

Ambasadorja nuk la pa përmendur edhe ndihmën e SHBA-ve dhe kontributin e ushtarakëve amerikanë gjatë atyre ditëve të vështira.

“U preka shumë kur pashë kontributet që ne po japim dhe ne jemi shumë krenarë që në pakot e ndihmave tregohet që kjo është një dhuratë nga populli amerikan. Ushtarakët tanë kanë pasur mundësi të ndihmojnë që në çastet e para. Ne sollëm dhe ekspertë, inxhinierë për vlerësimin e situatës dhe dëmeve”, deklaroi Yuri Kim.

Leave a Reply