Zgjedhjet në Kosovë në fund të Janarit ose në Shkurt

Presidentja nis konsultimet me partitë

Viti 2020 ka nisur me kryeministër në detyrë dhe po përfundon i tillë. Avdullah Hoti është kryeministri i tretë në detyrë brenda vitit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka shpallur jolegjitime qeverinë Hoti pasi e quan jovalide votën e deputetit Ethem Arifi, e cila ka qenë vendimtare për zgjedhjen e qeverisë Hoti.

Vendi pritet të shkojë në zgjedhje vitin e ardhshëm ndërsa presidentja në detyrë Vjosa Osmani pa humbur kohë ka ftuar partitë politike për konsultim për datën e zgjedhjeve. Kreu i LVV-së Albin Kurti pas takimit me presidenten në detyrë tha se si LVV janë të interesuar që data e zgjedhjeve të jetë sa më e shpejtë. Ai është shprehur i bindur se do t’i fitojë zgjedhjet.

Pos Kurtit, i cili ishte lider i partisë, partitë e tjera politike kanë dërguar përfaqësues të tyre për të takuar presidenten në detyrë. LDK është që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt, por ka kërkuar që paraprakisht të miratohet buxheti i shtetit.

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë, duke u bërë thirrje partive politike që të respektojnë këtë vendim. Zgjedhjet ka gjasë të mbahen në fund të Janarit, apo në fillim të Shkurtit.

Leave a Reply