Afganistani ra ngase korrupsioni zbrazi shtetin

Nga Zack Kopplin /

Shtetin e Afganistanit e kanë mbajtur bashkë vjedhja, zhvatja dhe nepotizmi – i niveleve më të larta.

Kur talibanët ranë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, ky grup militant u përball pothuajse me hiç kundërshti. Tashmë ish-presidenti i këtij vendi, Ashraf Ghani, u largua për në Emiratetet e Bashkuara Arabe, duke u akuzuar nga njëri prej ambasadorëve të tij për vjedhjen e 169 milionë dollarëve gjatë largimit – dhe ushtria afgane u shkri pa luftë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, akuzoi qytetarët afganë për pushtimin e talibanëve. “Ne u dhamë atyre çdo mundësi”, tha ai. “Ne nuk mund t’u jepnim garanci atyre se do të luftonim për të ardhmen e tyre”.

Por fajësimi i qytetarëve afganë, disa prej të cilëve mund të torturohen apo vriten në të ardhmen e afërt, është i gabuar dhe i pandershëm. Fitorja e talibanëve është produkt i korrupsionit dhe kronizmit të elitave – veçan personelit të lartë ushtarak amerikanë dhe politikanëve afganë.

Korrupsioni në Afganistan ka qenë për kohë të gjatë një sekret publik në mesin e observatorëve ndërkombëtarë dhe qytetarëve të vet. Më 2020, Transparency Internacional e ka renditur Afganistanin në mesin e 20 vendeve më të korruptuara në botë. Raportet e fondeve të qeverisë amerikane binin nëpër xhepat e kryekomandantëve dhe sindikatave të kriminalizuara që ishin të zakonta, derisa nepotizmi theu besimin e publikut për administratat e njëpasnjëshme. Nëse populli afgan – dhe ushtria e vet – refuzoi për të luftuar për shtetin e vet, kjo ishte pjesërisht, sepse ata nuk besonin në të.

Një arsye se pse ushtria afgane ra aq shpejt është sepse, pjesërisht, ajo nuk ekzistonte në të vërtetë. Në korrik, Presidenti Joe Biden tha se ushtria afgane kishte 300 mijë trupa, por që Pentagoni e dinte se këta numra ishin të fryrë. Komandantët ushtarakë afganë kishin grumbulluar para ekstra të alokuara për ushtarët e rremë.

“Numri i personelit fantazmë mund të shkojë në dhjetëra-mijëra”, tha John Sopko, Inspektor i Përgjithshëm Special për rindërtimin e Afganistanit, gjatë një fjalimi më 2017. Një raport i West Point, i lëshuar në janar, vlerëson se qeveria afgane ka një forcë të vërtetë luftarake me vetëm 96 mijë ushtarësh. Dhe kur Kabuli ra, këta ushtarë raportohet se më nuk ishin duke u paguar, apo nuk po merrnin as ushqim.

Jo vetëm që ushtria afgane ekzistonte në letër, por që përmes kontraktorëve amerikanë ushtarakë, Pentagoni po financonte pa dashje talibanët. Një raport i vitit 2009 në Nation citonte zyrtarë e ushtarakë amerikanë që vlerësonin se në mes 10 përqind dhe 20 përqind e parave nga kontrata logjistike në Afganistan – qindra miliona dollarëshe – ranë në duart e talibanëve.

“Shërbimi Inteligjent i Afganistanit, Drejtoria Kombëtare e Sigurisë, kishte paralajmëruar ushtrinë amerikane për problemin”, thuhej në raportin e Nation. Por dhjetë vjet pas, pagesat thuhej se ende po ndodhnin. Më 2019, një grup i familjeve që kishin humbur të dashurit nga talibanët paditën grupe të ndryshme të kontraktorëve ushtarakë për dyshimet se po u bëheshin pagesa talibanëve. (Rasti në shqyrtim).

Një rrjedhje tjetër e financimit të talibanëve, lehtësuar nga Pentagoni dhe elitat afgane, ishte shfrytëzimi i pasurisë minerale të Afganistanit.

Në prill, unë isha bashkautor në një hetim për Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni (OCCPR) që përfshinte presidentin afgan dhe familjen e tij në minierat korruptive, bashkë me kontraktorë amerikanë ushtarakë që kishin lidhje të ngushta me të.

Afërsisht një trilion dollarë minerale janë të groposura nën koren e vendit. Para marrjes së kontrollit nga talibanët, ligji afgan i ndalonte kompanitë nga blerja e mineraleve nga minierat e vogla të paregjistruara. Një arsye për këtë është sepse shumë nga këto miniera kontrolloheshin nga talibanët, grupe të tjera terroriste, apo komandantë lokalë. Blerja nga këto miniera nënkuptonte financimin e armikut. Por raportet tona gjetën se ishte një kompani që arriti të bënte përjashtim nga ky rregull, me sa duket me miratim të Zyrës së Presidentit të Afganistanit.

Zyra e tij nënshkroi të drejta të veçanta ligjore për filialin afgan të një kontraktori ushtarak amerikan, SOS Internacional (SOSi), për blerje të kromit, një përbërës i vlefshëm në inoks të çelikut, nga minierat e palicencuara në gjashtë rajone afgane. Kompania ngriti një fabrikë jashtë Kabulit dhe planifikoi të shtyjë dhe të eksportojë kromin.

SOSi është thellë e lidhur me shërbimet ushtarake amerikane dhe ato të inteligjencës. Kompania rekrutoi shumë nga zyra e ish-Drejtorit të CIA-s dhe një komandant i lartë amerikan në Afganistan, Gjeneral David Petraeus, duke siguruar një peshë të konsiderueshme në këtë proces.

“Është sekret i hapur që SOSi në thelb është një front për [Departamentin Amerikan të Mbrojtjes], ka thënë një zyrtar i lartë afgan për ne.

Por SOSi kishte një lidhje edhe më të rëndësishme. Hetimi ynë i OCCRP nxori se vëllai i presidentit, Hashmat Ghani, kishte në pronësi 20 përqind të filialit të SOSi, sipas dokumenteve konfidenciale të dala nga një strehë e fshehtësisë nga Emiratet.

Përtej çdo paraje nga mineralet që rridhte tek talibanët, kjo marrëveshje pasqyronte më gjerësisht arsyet se pse ra Afganistani. Korrupsioni zbrazi institucionet shtetërore dhe i la qytetarët afganë pa gatishmëri për të luftuar për një qeveri që, sikurse talibanët, abuzoi me njerëzit e vet, edhe pse në këtë rast përmes vjedhjes, zhvatjes dhe nepotizmin, sesa përmes dhunës dhe shtypjes së plotë.

Por marrëveshja SOSi nuk përfshin vetëm nivelet më të larta të qeverisë së vendit, por edhe amerikanë të fuqishëm dhe kompani amerikane gjithashtu.

Shteti afgan dhe ushtria ishte në pjesën dërmuese një copë fasade, e mbajtur vetëm nga pushtimi amerikan dhe nuk është befasi që afganët s’kishin vullnet për të luftuar dhe vdekur. Por dështimi i shtetit nuk bie mbi ta. Afganistani ra pasi ata plaçkitën gjithçka nga vendi. Elitat amerikane dhe afgane u dorëzuan dhe ikën, duke lënë pasë popullin afgan. Kush do të luftonte për një sistem të rënë?

Zack Kopplin është gazetar hulumtues, aktivist politik nga Louisiana.

Tekst i The Guardian, i përkthyer nga Klankosova.tv.

 

Leave a Reply