Albin Kurti: Po punojmë me LDK për qeverinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh dhe fituesi i Zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Albin Kurti, konfirmon se shumë shpejt do të ulet në tryezën e bisedimeve me kryetarin e LDK-së, për formimin e qeverisë së ardhshme. Sipas Kurtit nuk ka asnjë pike qe mund te vere ne rrezik koalicionin mes dy subjekteve.

“Ne po harmonizojmë programet tona për fusha të veçanta për ekonominë, arsimin, shëndetësinë, sigurinë, kulturën e kështu me radhë përmes grupeve tona të punës. Unë nuk mund të them rezultate konkrete se ku kanë arritur bisedimet deri tani, por mund të them me optimizëm dhe kënaqësi se gjithçka po shkon siç e kemi planifikuar. Qytetarët e presin prej nesh. Ne jemi subjekte të ndryshme dhe kemi programe të ndryshme, por duke qenë se fillojmë prej asaj që është e përbashkët në njërën anë, dhe qytetarët e Republikës kanë vendosur që opozita të bëhet Qeveria e nesërme, nuk besoj se do të shfaqet ndonjë që nuk do të tejkalojmë kollaj.”

Lideri i Vetëvendosjes sqaron se ende nuk janë ndarë ministritë, pasi sipas tij palët janë fokusuar në riorganizimin e tyre.

“Të hënën do të zhvillojmë një takim të rëndësishëm që do te ketë në fokus çështjet e ekonomisë dhe të zhvillimit. Ditët e fundit kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e LDK-së. Do të kemi një diskutim për riorganizimin e ministrive nga ana e grupeve punuese edhe natyrisht në një kohë të përshtatshme do të vendosim ndarjen e këtyre ministrive. Por tani për tani e rëndësishme është riorganizimi i tyre sepse siç e dini nga 21 ministri, ne synojmë numrin 12, që të mos ketë 120 zëvendës ministra, por të kemi më pak se 30.”

Albin Kurti përjashton futjen e Listës Serbe ne koalicionin qeverisës, pavarësisht se komuniteti serb do të ketë një ministri sipas kushtetutës.

Leave a Reply