Borxhet e prapambetura, janë paguar 40.5 mld lekë nga totali prej 72.6 mld

Ministria e Financave deklaroi se deri më tani ka paguar nga buxheti rreth 40.5 miliardë lekë borxhe të prapambetura ndaj biznesit.

Borxhet e prapambetura frenojnë ekonominëPërmes një njoftimi zyrtar, Financat bëjnë të ditur se në këtë shumë përfshihen detyrime nga të gjitha kategoritë, që nga punët e papaguara publike e deri te TVSH-ja e parimbursuar, apo fatura të pashlyera për blerje mallrash dhe shërbimesh.

Shlyerja e borxheve të prapambetura ndaj biznesit nisi janarin e 2014-ës. Në total, Qeveria ka planifikuar që të shlyejë 72.6 miliardë lekë detyrime të prapambetura ndaj biznesit. Sipas një strategjie të përcaktuar, likujdimi i tyre është shtrirë në një hark kohor 3-vjeçar, që nisi vitin e kaluar dhe përfundon në fund të vitit të ardhshëm.

Detyrimi për punët publike rezultoi më i vogël se parashikimi

Vitin e kaluar, Ministria e Financave pagoi në total rreth 33.8 miliardë lekë detyrime të prapambetura, nga 35 miliardë që kishte planifikuar. Devijimi më i madh nga plani nuk ishte te shuma totale, por ndryshimet brenda zërave.

Për detyrimet e infrastrukturës, ose investimet publike siç njihen ndryshe, Qeveria pati planifikuar 15 miliardë lekë në buxhet, për gjithë vitin e kaluar. Por në fund të vitit, shifra e shlyer rezultoi vetëm 9.8 miliardë lekë. Një shmangie prej mbi 35 për qind më pak sesa plani i buxhetuar.

Të dhënat tregojnë se borxhet për investime po rezultojnë shumë më pak nga sa ishin parashikuar në fillim, kur nisi procesi i shlyerjes së tyre. Aq sa tani, Ministria e Financave do të shlyejë për dy vjet së bashku, 2014 dhe 2015, aq sa kishte parashikuar të paguante vetëm për vitin e kaluar.

Por, teksa detyrimet e paguara për investimet janë rrudhur, një tjetër zë po rezulton dukshëm më i lartë se parashikimet. Janë detyrimet e prapambetura, që Ministria e Financave i klasifikon si “të tjera”. Nga 7 miliardë që ishte planifikuar në buxhet, për katë kategori u paguan 11.1 miliardë, ose 50 për qind më shumë.

Këto janë diferenca të mëdha, të cilat së fundmi janë bërë dhe objekt i debateve të forta politike në Parlament, pasi opozita pretendon se kategoria e detyrimeve të tjera lë shteg për abuzime. / Top Channel

Leave a Reply