Drejtësia e shpëtoi BFI-në nga vdekja klinike, tani duhet ta operojë nga kanceri

Diagnoza e BFI-së së uzurpuar nga Sulejman Rexhepi tashmë dihet: kancer i metastazuar i krimit, korrupsionit, nepotizmit, zhvatjes, shkatërrimit. Asnjë nuk mund të shërohet veç e veç pa e larguar kokën e këtij kanceri – Sulejman Rexhepin. Kujdes, mbetjet kirurgjiale nga kjo drejtësi duhet të shkrumbohen nëpër furra që mos të kontaminohet habitati

Shkruan Andi Rakipi

Më në fund u plotësuan lutjet e përshpirtshme të myslimanëve të Maqedonisë. Të gjithë druanin se në mënyrë tendencioze dhe shumë perfide do të caktonin “reis” përmes të cilit do ta shkatërronoin tërë atë praktikë të vetëorganizimit autonom të BFI-së, duke bartur mesazhe se, tash e tutje, BFI-ja do të zgjedhë reis atë që do t’ia caktojnë gjykatat shtetërore, apo, organet e caktuara të shtetit. I Madhi Zot nuk lejoi që të ndodhë kjo dhe, BFI-ja shpëtoi nga përzierja aq flagrante dhe dhe aq vullgare e organeve shtetërore.

Në fakt, për dallim nga BI e Shqipërisë dhe BI e Kosovës, në BFI të RMV, ngjashëm si në Serbi, shtetin e kemi me dy këmbë brenda! Nuk mund të ndodhë asgjë, madje as të zgjidhet reisi pa pëlqimin dhe lejen e “strukturave gri” të shtetit. Kështu ka qenë në kohën komuniste dhe kështu ka vazhduar edhe në kohën e pluralizmit me një dallim se, tani, reisi nuk zgjidhet drejt për drejt nga shteti por, përmes ndikimit të shtetit dhe me njerëz të pushtetit zgjidhet me “vota demokratike”.

Nejse, me rëndësi është që, një farë vendimi, i lëshuar nga një gjykatë e RMV-së e cila cakton se kush nuk është dhe kush është “reis” i BFI-së, u anulua dhe, praktikisht, gjykatat hoqën dorë nga përzierja në caktimin e kierarkisë së BFI-së. Vazhdon tradita e vjetër e caktimit të organeve përmes organizimit të brendshëm të BFI-së të paraparë në dispozitat kushtetuese të saj.

Por, a mbaroi me kaq misioni i gjyqësorit në raport me BFI-në? Jo, sepse, me shpalljen nult të vendimit që emërtonte “reis” politik, praktikisht Apeli e shpëtoi nga vdekja klinike BFI-në, e ngjalli, e zgjoi nga gjendja e komës duke e nxjerrur nga ato aparate të frymëmarrjes dhe duke i dhënë edhe pak ditë shprese për jetë! Tani, është faza e dytë! Shpëtimi definitiv i BFI-së sërish vie nga organi i drejtësisë shtetërore. BFI-së tani i duhet operimi klasik dhe eliminimi nga trupi i tij i kancerit që po rrezikon të metastazojë në të gjithë gjymtyrët dhe organet e saj. BFI-ja tashmë po lëngon shumë rëndë, imuniteti i ka rënë përdhe, pa antitruptha që e ngacmojnë procesin e vetëshërimit. Prandaj, i duhet të ndërhyjë drejtësia shtetërore. BFI-ja ka dhimbje të tmerrshme, nuk pranon të shërohet, ka humbur shpresat, po shkon drej shterrjes fatale! Megjithatë, myslimanët e vendit, pjesëtarët e kësaj Bashkësie, po luten tash e sa vite, që të intervenohet; mosintervenimi shpreh urrejtje etnike e fetare, politike e racore, indiferencë e moskokëçarje, dëshirë për vdekje të parakohëshm të pacientit. Organet e drejtësisë i kanë të gjitha diagnozat, e kanë të skanuar tërë trupin e BFI-së, i dijnë në hollësi se ku janë problemet, ku po kalbëzohet trupi, ku po sulmon kanceri, i dinë në hollësi edhe ilaçet dhe kurën që e shpëton këtë Institucion të vetëm fetar islam në vend. Ajo është – operimi nga kanceri; largimi një orë e më parë i Sulejman Rexhepit, i cili për organet e drejtësisë tashmë njihet dhe i dokumentuar si kriminel, si hajn, si zhvatës, reketist, dallaverxhi më i madh i vendit.

Drejtësia akoma duket selektive, edhe më tej ngelë e njollosur si e padenjë për ta çuar drejtësinë në vend. Me anulimin e vendimit gjyqësor për t’ua imponuar myslimanëve një “reis” politik, kjo nuk do të thotë se, “reisi i popullit” amnistohet prej të gjitha krimeve të tij. Si e para, populli mysliman në vend nuk zgjedh “reis”, sepse po të ishte në duar të popullit ky “aktuali” që moti do të përfundonte në “birën 300 grosh”! E dyta, të gjitha organet shtetërore duhet të jenë në shërbim të popullit, pra, edhe kur eshtë në pyetje “reisi” i BFI-së, i cili, tashmë në popull njihet si e keqja më e trishtë që e ka mbërthyer këtë popullatë.

Tani drejtësia është në sprovë: ta ndëshkojë Sulejmn Rexhepin apo mos të merret me të dhe, praktikisht, të dëshmojë se është palë me krimin. Mosndëshkueshmëria e Sulejman Rexhepit dhe, kyçja në intrigat e tij sa për ta nxjerrë nga llumi ku është futur, dëshmon katërcipërisht për kapjen e shtetit që dirigjohet nga struktura të caktuara brenda BFI-së, apo të kamufluara me fasadën e saj! Shteti duhet të dijë mirë se në vend po rritet një grup mafiozësh mirë i strukturuar, me tendenca dhe synime për të përmbysur të gjitha vlerat shoqërore në vend. Natyrisht, kjo situatë kaq e rrezikshme është nën vëzhgimin e plotë të ndërkombëtarëve, të cilët, zatën e shpëtuan BFI-në nga një intrigë e poshtër e disa strukturave shtetërore: ta luftojnë të keqen duke instaluar njerëz të pushtetit brenda BFI-së! BFI-ja është Institucion i destinuar dhe i bekuar që të udhëhiqet vetëm nga të devotshmit, të cilët janë i vetmi shpëtimtar i BFI-së dhe i bashkëjetesës dhe mirëqenies në RMV. Solidarizimi i organeve të caktuara shtetërore me krimin dhe korrupsionin që po lulëzon brenda BFI-se, në fund gjeneron shkatërrimin e shoqërisë dhe të vetë shtetit. BFI-ja duhet të sitet nga organet e drejtësisë, sepse byku i shumtë po e bënë të pavlerë dhe po e kalb edhe grurin flori.

Leave a Reply