“Dy persona u prezantuan si pjesëtarë të UÇK-së dhe ma vunë thesin e zi në kokë”, dëshmitari flet si kidnapua për në Zllash

Në Hagë është duke vazhduar seanca e dytë e gjykimit ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa ku është duke treguar dëshminë e tij njëri nga dëshmitarët.

Dëshmitari ka rrëfyer momentin kur është kidnapuar nga dy persona, të prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së, dhe është dërguar për në Zllash.

Ai i ka thënë Prokurorisë se i është vendosur një thes i zi në kokë dhe është sulmuar.

“Njëri më dha një çokollatë, unë nuk doja, por insistonin, dhe kur e mora, e futa në gojë, më goditi boks në gojë, m’i theu dhëmbët. Aty më kanë futur një thes të zi në kokë, nuk kam pasur mundësi t’i shoh nëse ishin të armatosur. Më futën në një veturë, nuk i njihja asnjërin”, tha ai, duke iu fshehur identiteti.

I pyetur nga Prokurori se kush ishte personi që i kishte vendosur revolen, dëshmitari deklaroi se ishte personi kundër të cilit ka ardhur për të dëshmuar.

“Ai person ishte ky njeriu që është këtu, i akuzuari është, e di që e ka pas kapelën e kuqe”, tha shkurt dëshmitari.

I pyetur tutje nëse personi me kapelë të kuqe e mbante pistoletën në kokën e tij, dëshmitari tha se nuk ka mundur të shoh pasi ishte terr.

“Nuk di kurgjo, se skom pa, ka qenë terr, veç e di që qeky personi është që ma ka bo qata dhe e kom ni kur ka thanë lene mos e rreni mo, se paska fat, atëherë e ka ndërpre”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se i akuzuari ishte personi kryesor në atë vend dhe se pa folur ai të tjerët nuk kanë bërë asgjë. /Telegrafi/

Leave a Reply