Emigrantët e paligjshëm në Greqi, nis largimi nga kampet famëkeqe. Do pajisen me dokumente

Autoritetet greke kanë filluar të evakuojnë mijëra emigrantë të huaj, që mbahen në 30 qendrat e përkohshme të paraburgimit në të gjithë vendin, të krijuara vitet e fundit, të cilat gradualisht do të mbyllen.

Pas vetëvrasjes së një emigranti, dy javë më parë në Amigdaleza, një prej qendrave më famëkeqe të periferisë së kryeqytetit, Qeveria e re greke duke mbajtur një nga premtimet elektorale të saj, ka filluar të lirojë dhe të pajisë me dokumente gjashtëmujore, në fillim të huajt që kanë bërë kërkesa për azil politik, ndaj dhe dhjetëra emigrantë tashmë kanë kaluar derën e kësaj qendre.

“Ky proces që po ndiqet tani është e kundërta e asaj procedure që ndodhte deri më sot, ku filozofia themelore ishte që të ndiqeshin dhe të paraburgoseshin ata që shkelnin ligjin për qëndrimin në Greqi. Tani atyre u jepet një leje gjashtëmujore qëndrimi në vend”, tha Ioannis Fragkiskos, shef i Policisë së Atikës.

Amigdaleza është një qendër e hapur në vitin 2012 dhe shërbente si pikë afatshkurtër tranziti për të gjithë ata emigrantë të paligjshëm që prisnin urdhrat e dëbimit, një proces kaq i ndërlikuar sa kurrë nuk ka funksionuar.

Si rezultat, qindra të huaj jetonin brenda telave me gjemba për muaj të tërë, në kushte që grupet e të drejtave të njeriut i kanë përshkruar si çnjerëzore. Por edhe tani, disa prej emigrantëve që janë të lirë deklarojnë se e ardhmja dhe integrimi i tyre nuk janë aspak të lehta, pasi e kanë shumë të vështirë të gjejnë punë, ndërsa edhe specialistët shpjegojnë se shoqëria greke nuk është ende gati për të pranuar qendrat e hapura për emigrantët.

“Është krijuar një klimë terrori. Gjithkush mendon se këta njerëz janë këtu për të na bërë të ndryshojmë fenë tonë, të na vjedhin ose të na vrasin. Këto stereotipe janë riprodhuar dhe për të krijuar ankesa nga qytetarët dhe pasiguri”, tha Eleni Chrisochoou, eksperte e kriminalistikës.

Përballë politikave të ashpra që kishte miratuar Qeveria e konservatorëve për përballimin e një vale të madhe të emigrantëve të paligjshëm, me operacionet fshesa apo ngritjen e këtyre reparteve që ngjajnë me kampe përqëndrimi, Qeveria “Tsipras” ka deklaruar se do përpiqet të gjejë një mënyrë për të financuar qendra të hapura të mikpritjes për ta, ku do të mund të qëndrojnë përkohësisht deri sa të gjejnë punë dhe strehë.

Megjithëse ende nuk është sqaruar mënyra e financimit të tyre, Athina pret ndërkohë që edhe BE të ndajë disi barrën e rëndë në përballimin e këtij fluksi masiv të emigrantëve, që braktisin zonat e nxehta të luftës në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore. / Top Channel

Leave a Reply