Federata e Spanjës i konfirmon FFK-së se ndeshja ndaj Kosovës do të zhvillohet konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s

Gjatë ditës së sotme (e mërkurë), presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e ka pranuar një telefonatë nga Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF).

Me këtë rast RFEF ka shprehur keqardhje për lajmet e publikuara në mediat e atjeshme dhe ka konfirmuar se ndeshja Spanjë – Kosovë do të zhvillohet konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshje zyrtare.

Po ashtu, në njoftim thuhet se Federata e Futbollit e Spanjës ka shprehur mikpritjen e tyre për Kombëtaren e Kosovës dhe u tregua e hapur në bashkëpunim për çfarëdo nevoje që mund të ketë FFK-ja.

Në anën tjetër presidenti Ademi shprehu respektin dhe besimin e tij ndaj Federatës së Futbollit të Spanjës dhe shprehu bindjen e tij se do të zhvillohen dy ndeshje shumë të mira, si në Sevilla po ashtu edhe në Kosovë.

Presidenti Ademi përmes telefonit bisedoi edhe me zyrtarët e UEFA-s. Këta të fundit e kontaktuan atë për ta sqaruar situatën e krijuar së fundmi dhe ia konfirmuan se gjithçka është në rregull dhe se ndeshja do të zhvillohet ashtu siç është paraparë.

Leave a Reply