Gjykata e Lartë zgjedh trupën për rastin e Doshit dhe Frrokut

Gjykata e Lartë ka hedhur mëngjesin e së shtunës shortin për caktimin e trupës gjykuese që do të vlerësojë masën e arrestit për dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Nga informacionet e fundit mësohet se kolegji penal do të përbëhet nga gjyqtarët Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj, Admir Xhanxa, Majlinda Andrea dhe Artan Zeneli.

Por vetëm pak momente më vonë, gjyqtarja Andrea ka dhënë dorëheqjen nga kolegji duke paraqitur si argument njohjen e saj me deputetët Frroku dhe Doshi.

Burime nga Gjykata e Lartë bëjnë të ditur se, Andrea ia ka paraqitur dorëheqjen kreut të këtij institucioni, Xhezair Zaganjori, por ky i fundit nuk e ka pranuar atë, duke shmangur në këtë mënyrë mbajtjen e një shorti të dytë.

Burimet shtojnë më tej se relator për çështjen ndaj Tom Doshit dhe Mark Frrokut është gjyqtari Guxim Zenelaj, ndërsa për masën ndaj Durim Bamit gjyqtari Aleksandër Muskaj.

Pasditen e së premtes, Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në Gjykatën e Lartë kërkesat për masat e sigurisë për Doshin dhe Frrokun. Dorëzimi u bë përtej orës zyrtare 16, për shkak të kohës së tejzgjatur që u desh për të pyetur dy deputetët.

Organi qendror i akuzës kërkon nga Gjykata e Lartë që të vlerësojë si të ligjshëm urdhërat e ndalimit të deputetëve, si dhe të caktojë masa të sigurimit personal.

Më herët gjatë së premtes pragun e Gjykatës së Lartë e kaloi avokati i Tom Doshit, i cili kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. “Është një ndalim i kundraligjshëm, që ka tejkaluar kompetencat e tij”, tha avokati Vladimir Meçi për mediat.

 

Leave a Reply