Greqia mbyll shkollat, Italia zgjeron zonën e kuqe

Bilance negative të infektimeve në Britani e SHBA

Shifrat në rritje të infektimeve në Greqi, kanë detyruar autoritetet të marrin të tjera masa më të forta për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Teksa në 24 orët e fundit u shënuan 3038 raste të reja, Ministria e Arsimit njoftoi se nga dita e hënë deri më 30 Nëntor do të bëhet edhe mbyllja e shkollave ​​fillore, kopshteve dhe qendrave të kujdesit për fëmijë. Situata rezulton më kritike në Selanik dhe Athinë. Në disa zona të tjera, si Larisa dhe Ksanthi, autoritetet nisën të kryejnë testimet e shpejta, falas, në mase të gjerë të popullsisë.

Alarmante shifrat vijojnë të jenë edhe në Itali, e cila ka zgjeruar territorin e izolimit, duke futur nga 15 Nëntori në zonën e kuqe edhe rajonin e Campanias dhe Toscanës. Aktualisht në zonat e kuqe bëjnë pjesë 7 rajone. Qytetarët në këto vende nuk lejohen të dalin nga një komunë në tjetrën, bare dhe restorantet janë të mbyllura, dyqanet, përveç atyre të ushqimit po ashtu, teksa edhe transporti publik punon me një kapacitet prej 50%.

Bilance negative edhe në Britani, ku pavarësisht taktikave të ndryshme që qeveria provoi për të frenuar koronavirusit, u bë vendi i parë europian që kaloi 50 mijë vdekje nga pandemia. Rekorde të njëpasnjëshme të infektimeve dhe viktimave kanë pasur edhe SHBA, ku zyrtarët e shëndetit publik u kanë bërë apel qytetarëve që të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe të përgatiten për një dimër të vështirë.

Aty autoritetet raportuan këtë të shtunë për më shumë se 193,734 raste të reja në të gjithë vendin. Nuk i ka shpëtuar shifrave të larta të infektimeve as Afrika me mbi 14 mijë raste të reja në 24 orë. 

Leave a Reply