I siguroi udhëtim kundrejt 13 mijë eurove dibranit, arrestohet në Spanjë administratori i agjencisë “fantazmë”

Administratori i një agjencie sigurimesh i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë me 10 vjet burg është arrestuar në Spanjë.

Në pranga ka rënë Luan Bundo, 62 vjeç, nga Tirana. Ai akuzohet për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

Kapja e tij u bë nga shkëmbimi në kohë i informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Madridit.

“Policia e Shtetit ka marrë informacion në rrugë operative se një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar mbrëmjen e djeshme ndodhej në një ambient, në Madrid të Spanjës. Pas verifikimeve të shpejta rezultoi se të dhënat, i përkisnin personit të shpallur në kërkim ndërkombëtar” njofton policia.

13 mijë euro për të mbërritur në Australi

Shtetasi Luan Bundo, i ka ofruar dhe dhënë ndihmë për kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme Mensur Prençit, të riut nga Dibra, për të shkuar në  Australi. Këtë ndihmë ai e ka ofruar dhe dhënë kundrejt shpërblimit të kërkuar prej 13.000 eurosh. Ngjarja ka ndodhur 5 vite më parë, në 2014.

Shtetasi Bundo së bashku me shtetasin Mensur Prençi fillimisht kanë shkuar në Maqedoni ku janë pajisur me viza për në Indonezi dhe më pas nga Indonezia për në Australi, janë transportuar nga një shtetas indonezian me peshkarexhë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor me vendim, datë 19.12.2016 ka shpallur fajtor shtetasin Bundon për veprën penale “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit” dhe e ka dënuar me 10 vite burgim.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Madridin po vijojnë proceduarat për ekstradimin e shtetasit të arrestuar drejt Shqipërisë.

Dibrani i zhdukur prej 5 vitesh

Prej më shumë se 5 vitesh familjarët e Mensurit nuk dinë asgjë për fatin 32-vjeçarit. Familjarët e kanë denoncuar humbjen e tij në emisionin “Pa gjurmë”.

Sipas familjarëve të Prençit, kontakti i fundit me Mensurin ka qenë gjatë kohës që qëndronte në ishullin Kupang në pritje për t’u nisur drejt Australisë.

Pas këtij momenti i pandehuri Luan Bundo është kthyer në Shqipëri dhe i ka komunikuar familjarëve të Prençit se djali i tyre kishte mbërritur në një kamp refugjatësh në Darëin të Australisë.

Ai u nis më 23 prilli i vitit 2014, kur vendosi të ndërrmarrë këtë udhëtim të gjatë pa aprovimin e familjes.

Nga ana tjetër vëllai i Mensurit dyshon që vëllai i tij mund të jetë në ndonjë kamp në zonën neutrale mes Australisë dhe Zelandës së Re.

Leave a Reply