Kina mohon se qëndron prapa sulmit në Microsoft

Kina i mohoi akuzat se ka kryer një sulm të madh kibernetik kundër gjigantit amerikan të teknologjisë, Microsoft.

Të hënën, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore akuzuan Kinën për piraterimin e Microsoft-it – një platformë e njohur e postës elektronike, që përdoret nga ndërmarrjet në të gjithë botën.

Ato thanë se sulmi ishte pjesë e një sjelljeje “të pamatur” që kërcënon sigurinë globale.

Kina tha se i kundërshton të gjitha format e krimit kibernetik, ndërsa pretendimet e vendeve perëndimore tha se janë “të trilluara”.

“SHBA-ja i ka mbledhur aleatët e saj për të bërë kritika të paarsyeshme ndaj Kinës për çështjen e sigurisë kibernetike”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian.

Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian, Zelanda e Re dhe Australia ishin në mesin e vendeve që iu bashkuan SHBA-së në akuzimin e aktorëve – të sponsorizuar nga shteti kinez – për “veprimtari të dëmshme kibernetike”.

Sistemi i Microsoft-it furnizon me e-maile korporata të mëdha, biznese të vogla dhe organe publike në të gjithë botën.

Sulmi kibernetik, që u identifikua në mars, preku së paku 30,000 organizata.

Microsoft tha atëbotë se beson se një sulmues i sponsorizuar nga shteti kinez, i quajtur Hafnium, qëndron prapa sulmit./REL/

Leave a Reply