Kolonia e fotografëve në Pogradec

Kolonia e fotografëve ka sjellë në qytetin e Pogradecit një ekspozitë të veçantë, ku janë shfaqur momente të fokusuara në aparat nga fotografë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Kolonia është sjellë për herë të parë, ndërsa qyteti liqenor ka hapur dyert e tij, duke u dhënë 12 pjesëmarësve mundësinë që të fiksojnë pamje unike. Vetë organizatori, Ardian Fezollari, e ka konsideruar këtë si një aktivitet largpamës, që synon të rrisë turizmin në qytetin e Pogradecit, të cilit nuk i mumgojnë burimet dhe kapacitetet.

“Synimi i kësaj kolonie ka qenë promovimi i burimeve turistike të qytetit të Pogradecit. Kjo pasi, në pikëpamjen time, ky qytet ofron burime të mëdha si në peizazh, etnografi, trashëgimi kulturore, pse jo edhe në kulinari”, tha organizatori Fezollari.

Mes fotografëve nuk kanë munguar as emrat e rinj. Ina Kosta, fotografja më e re e ftuar në këtë koloni, e ka konsideruar pjesëmarjen e saj si një mundësi për të dhënë një këndvështrim rreth qytetit të saj, por edhe një aktivitet ku mund të mësosh nga profesionistët.

“Ajo që kam përzgjedhur për të sjellë në këtë event është një peizazh i malit të Thatë të Pogradecit, duke qenë se unë vetë jam nga Pogradeci, ndërsa pjesa tjetër është një peizazh që bazohet më shumë tek e vjetra, ajo që ka ekzistuar kohët e mëparshme në qytetin tim, duke u munduar që të sjellim sadopak në vëmendje edhe historinë e Pogradecit”, tha Ina Kosta, fotografe.

Kolonia e fotografëve është organizuar për herë të parë, duke sjellë 24 foto dhe këndvështrime të ndryshme të fotografëve pjesëmarrës. / Top Channel

Leave a Reply