Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav ka ftuar edhe një herë autoritetet e Shkupit të zbatojnë në tërësi marrëveshjen e 2 qershorit, për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë dhe për të përshpejtuar procesin integrues.
Ai theksoi edhe rëndësinë e përmbushjes së rekomandimeve të Komisionit Europian, të evidentuara në raportin e progresit, e gjithashtu përsëriti nevojën për hetimin e ngjarjeve të Kumanovës.
“Për të përmirësuar këtë situatë nevojiten të përmbushen 7 pika. Marrëveshja politike duhet të zbatohet në tërësi, të përmbushen reformat urgjente, të hetohet skandali i përgjimeve, politika të mos ketë ndikim mbi gjyqësorin, të zgjidhet problemi me lirinë e shprehjes, të depolitizohen shërbimet publike dhe të zbatohet tërësisht Marrëveshja e Ohrit”, tha Aivo Orav, ambasador i BE-së në Shkup.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Çështjet Europiane, Fatmir Besimi e pranoi se kritikat e Komisionit Europian për Maqedoninë pasqyrojnë situatën reale. Ai theksoi më tej edhe domosdoshmërinë për përmbushjen e reformave urgjente, që kërkohen nga qeveria.
“Fjalori i Komisionit Europian në raportin e këtij viti është i mbushur plot me kritika të drejtpërdrejta, sugjerime dhe rekomandime se, ku duhet të përmirësojmë axhendën për të ndërtuar institucione me vlera europiane në Maqedoni”, tha Fatmir Besimi, zv.kryeministër i Maqedonisë.
Për krizën politike dhe situatën e rëndë në vend, PDSH-ja opozitare fajësoi Qeverinë. Madje, deputetja Merale Ferati tha se, raporti i progresit për Maqedoninë nuk ka qenë i ashpër sa duhet.
“Përgjegjësi për këtë situatë duhet të mbajnë VMRO-ja dhe BDI-ja, sepse jo vetëm që ka ngecje, por vendi ka bërë edhe hapa prapa. Situata për shqiptarët është shumë herë më keq. Problemi real në Maqedoni është shkelja e të drejtave të shqiptarëve”, tha Merale Ferati, deputete e PDSH-së.
Pas debatit, që u zhvillua në Komisionin parlamentar për Çështjet Europiane, deputetët nuk arritën të miratojnë 11 konkluzionet rreth raportit të progresit. Votimi u shty me kërkesë të përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së, të cilët kërkuan më tepër kohë për shqyrtimin e konkluzioneve.
Nga ana tjetër, deputetët e PDSH-së kërkuan, që listës së konkluzioneve t’i shtohet edhe një pikë, që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve.